Politikë

Meta pas takimit në zyrën e Berishës thotë se do i bashkohet protestës në 6 Dhjetor

Meta pas takimit në zyrën e Berishës thotë se do i bashkohet

“Jemi për Shqipërinë europiane, jo për regjim policor, - në datën 6 përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe për minimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë për vite të tëra,” u shpreh Ilir Meta sot për gazetarët që e ndaluan në një prononcim pas takimit që zgjati afro 1 orë në zyrën e Sali Berishës.

Ai konfirmoi kështu se do t’i bashkohet protestës së 6 dhjetorit, ditën kur në Tiranë do të mblidhen të gjithë liderët europiane në Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor, ndonëse për këtë protestë PD ende nuk ka një leje zyrtare nga Policia e Shtetit, pasi perimetri ku Berisha e tashmë dhe aleati i tij, Meta kërkojnë të bëjnë protestën është në listën e akseve ku do të kufizohet qarkullimi ditën e martë, e cila u shpall edhe ditë pushimi zyrtar për Tiranën për shkak të këtij zhvillimi politik.

Meta pas takimit me Berishën u shpreh gjithashtu: “Sigurinë e Europës e kërcënon vetëm mafia që përdor shtetin për ta kthyer Shqipërinë në një bazë logjistike të mafies ndërkombëtare për gjitha llojet e trafiqeve me në krye kokainën. Nuk vjen asnjë problem i sigurisë nga qytetarët e Tiranës e mbarë Shqipërisë që duan një Shqipëri evropiane”.