Politikë

Meta reagon për fjalimin e Ramës dje: Nga halli për të treguar respekt për 100-vjetorin tregova durim

Meta reagon për fjalimin e Ramës dje: Nga halli për të

Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat, siç po bën çdo ditë, nga Partia e Lirisë.

Në një moment, bëri edhe një koment në lidhje me fjalimin e Ramës të mbajtur paraditen e djeshme, gjatë eventit të organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë ku edhe Meta ishte prezent.

“Kam pasur një ftesë nga presidenti i vendit për një darkë dhe kam qenë. Ishte edhe ambasadorja e SHBA-së dhe diplomatë të tjerë. Kisha edhe ftesë për organizimin e paradites ku kam dëgjuar një fjalim qesharak nga një halldup aty, po nga halli për të treguar respekt për 100 vjetorin e marrëdhënieve kam qëndruar me shumë durim”, tha Meta.

Po çfarë tha Rama dje gjatë fjalimit të tij, pa përmendur emra, por që kuptohej se kujt i drejtohej?

“E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane apo dhe anti-europiane dhe edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA-së, siç është mllefi dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën, madje deri në pikën që “ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikane”. Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënieje, por nga ana tjetër edhe dhe shumë domethënës për faktin që s’ka dot këtu një burrë që ia thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sy ato që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit. Gjithmonë, të gjithë jemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa janë për marrëdhëniet me këto Shtete të Bashkuara të Amerikës, disa duan ato shtete të Bashkuara të Amerikës se janë pasardhës të Lincolnit apo të Rooseveltit edhe kanë probleme me nivelin”.