Politikë

Meta thirrje policisë: Zbatoni ligjin, mos u bëni palë me politikën. Ngjarjet e orëve të fundit i quan incidente artificiale

Meta thirrje policisë: Zbatoni ligjin, mos u bëni palë me

17: 26

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Elbasan, ku janë të përfshirë strukturat që PD ka ngritur siç thuhet për të mbrojtur votën. Meta shtron 11 pyetje për këtë ngjarje teksa i kërkon institucioneve shqiptare, nga Policia, SPAK, Prokurorisë së Elbasanit dhe asaj të Përgjithshme të veprojnë dhe të ndëshkojnë çdokënd që ka shkelur ligjin.

Ilir Meta:

Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi dy ditë më parë në Elbasan dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike.
Ende organi i Prokurorisë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë dhënë një version të plotë zyrtar dhe shterrues.
Janë disa pyetje, që kërkojnë përgjigje publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese:
- A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?
- A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës”, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?
- A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?
- Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?
- Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?
- A ka qenë i mbuluar ambjenti publik apo ambjentet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?
- Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?
- Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?
- Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?
- A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?
- A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?
Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK, Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!
Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj:
Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të!
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.
Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.
Vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit nuk duhet të rrezikohet më tej nga këto fenomene!
Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani!
Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!

----

48 orë para hapjes së qendrave të votimit në Shqipëri, presidenti Meta ka postuar një mesazh me tone të qeta, në ndryshim nga diskursi që ka patur javën e fundit. Presidenti nuk është ndalur në asnjë ngjarje veçanërisht, por i përshkruan ato mes rreshtash si incidente artificiale dhe provokime të qëllimshme. Ai i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Administratës Publike që të veprojnë me integritet: Sepse të dielën nuk votohet vetëm për 4 vitet e ardhshme, por për të ardhmen e Shqipërisë.

Ilir Meta:

Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj!
Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit.
Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.
Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit.
Prandaj , në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.
Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.
E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme !
Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë.
Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik.
Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë!
Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve!
Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!

Meta thirrje policisë: Zbatoni ligjin, mos u bëni palë me

*Tiranapost.al.