Politikë

Meta thirrje Ramës për debat: Të ftoj të bëhesh trim dhe të vish në përballje me mua

Meta thirrje Ramës për debat: Të ftoj të bëhesh trim

Presidenti Ilir Meta me anë të një statusi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të përballet me të në një debat televiziv, sonte, në mbrëmjen e fundit përpara heshtjes zgjedhore.

Me tonet e ashpra që kanë karakterizuar retorikën e Metës përgjatë kësaj fushate, ai i ka bërë thirrje Edi Ramës që t’i bashkohet sonte në intervistën ku është i ftuar me gazetarin Çim Peka, si dhe është shprehur i gatshëm të shkojë në çdo studio tjetër për t’u përballur me kryeministrin dhe me këdo tjetër ai zgjedh të marrë krah tij.

Statusi i Presidentit Ilir Meta:

Një ftesë e sinqertë për Kapedanin e Bllokut! Sot në ora 20:45, jam i ftuar për një intervistë live në Syri TV nga Çim Peka. Të ftoj edhe ty të bëhesh trim dhe të vish sot në një përballje televizive para shqiptarëve. Nëse ke siklet të vish vetëm merr kë të duash me vete, deputet nga partia ose hajde bashkë me të gjithë “të fortët” e tu. Nëse ti nuk do debat televiziv tek Çimi, unë e le atë për ty dhe vij kudo që të jesh ti. Vetëm të lutem më thuaj! Bëhu njëherë trim, hë të keqen, se dita e Llogaridhënies erdhi. Të lutem më thuaj! Po pres me padurim përgjigjen tënde o trimi i xha Jahos!

Tiranapost.al