Politikë

Modeli i ri i parlamentit sipas Bashës: Me dy dhoma dhe të ngrihet një senat

Modeli i ri i parlamentit sipas Bashës: Me dy dhoma dhe të ngrihet

Lideri demokrat Lulzim Basha propozoi krijimin e një senati që sjell një parlament me dy dhoma, që sipas tij duhet të ngrihet për t'i kërkuar llogari qeverisë. Në një takim ku prezantoi platformën për reformimin e sistemit, Basha kërkon që Parlamenti të ketë dy dhoma, ku sipas tij nga njëra anë duhet të jenë 100 deputetët e parlamentit, dhe nga ana tjetër 40 anëtarët e Senatit.

“Të ngihet një senati me 40 anëtarë që i kërkon llogari qeverisë, të zgjedhur bashkë me parlamentin nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni nuk do të funksionojnë më. Shumë vende kanë dy dhoma parlamenti. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, tha Basha.

Pesë ndryshimet që kërkon Basha:

-Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

-Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

-Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.

-Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.

-Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë.