Politikë

Monika Kryemadhi në Opinion: Me Ilir Metën jemi në një raport të ngrirë bashkëshortor. Ka disa që mendojnë se bëhet karrierë politike duke shkatërruar familje

Monika Kryemadhi në Opinion: Me Ilir Metën jemi në një

Monika Kryemadhi ka folur në Opinion për marrëdhënien me Ilir Metën. Kryemadhi është shprehur se raporti i tyre bashkëshortor për momentin është i ngrirë për shkak të konfliktit me partinë.

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit, është personale megjithëse zgjidhni ju të përgjigjeni apo jo. Si është raporti juaj bashkëshortor me Ilir Metën?

Monika Kryemadhi: Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike.

Blendi Fevziu: Të cilat reflektohen edhe në jetën private.

Monika Kryemadhi: Patjetër që reflektohen sepse në qoftë se ne jemi dy njerëz të cilët punojmë nga mëngjesi deri në darkë në politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme edhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë, është që njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare.

Ndërsa nga ana tjetër Ilir Meta është shfaqur në një intervistë në Syri TV dhe i pyetur për Monikën është përgjigjur: Monika po paguan kostot e Lulit se i besoi Lulit. Nuk po paguan kosto që i shkaktoi burri. Burri që i shkaktoi kosto Monika Kryemadhit është Lulzim Basha, kryemashtruesi i Shqipërisë. Kjo tha po më tradhëtoi Luli, do e vras. Luli është shëndoshë si molla, mban peng vulën e PD-së. Luli nuk e meriton të quhet burrë, por është kryemashtrues.