Politikë

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor mund të përmbyllen pa negocim, PD: Nuk japim OK pa koalicione

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor mund të përmbyllen pa negocim, PD:

Ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor mund të përmbyllen me 30 shtator pa dakordësinë e Opozitës. I mandatuari në Këshillin Politik nga PD, Oerd Bylykbash ka thënë se opozita nuk do të dorëzojë në Këshill asnjë draft për të reflektuar në Kodin Elektoral ndryshimet kushtetuese për heqjen e koalicioneve paraelektorale dhe hapjen e listave të kandidatëve.

Ai thotë se koalicionet duhet të mbeten sikundër ekzistojnë prej 17 vitesh dhe se palët në respekt të marrëveshjes së 14 Janarit për çështjet që nuk bien dakord, zgjidhjen duhet ta gjejnë pranë OSBE-ODIHR-it. Por maxhoranca thotë se kërkesat janë zvarritje dhe se nuk ka pasur më parë asistencë nag OSBE.

“Ti drejtohemi OSBE-ODIHR-it në përputhje me marrëveshjen e 14 Janarit  që ka mekanizmin e zgjidhjes së konfliktit. ODIHR dje u shpreh i gatshëm që të ndërhyjë për asistencë, PD dhe opozita kërkon të ruhet ligji i sotëm i miratuar me konsensus që në 2003, çka është konfirmuar dhe s’ka patur rekomandim më parë nga ODIHR e Venecia për këto koalicione”.

Maxhoranca ka lënë afat 30 shtatorin për të përmbyllur ndryshimet kushtetuese, por opozita thotë se nuk do e japë dakordësinë.

 “Afatet e mazhorancës janë pjesë e taktikës së saj të faktit të kryer. S’do lejojmë që Këshilli Politik të jetë vula në tentativën e Ramës për të prishur rregullat e lojës. Rama s’do marrë dakordësi nga opozita për këtë përsa kohë cënohet interesi i shqiptarëve”.

Sipas Bylykbashit Rama nuk pranon të mos heqë koalicionet për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve.

“PS t’u shpjegojë ndërkombëtarëve dhe OSBE pse kërkon të ndryshojë një rregull themelor para zgjedhjeve. Ju a them unë, se kërkon të ndryshojë përllogaritjen e mandateve dhe rezultatin. Por Komisioni i Venecias e thotë qartë se ndryshime të tilla nuk bëhen një vit para zgjedhjeve”.

E hëna nuk solli ndonjë rezultat në mbledhjen e Këshillit Politik, Ditën e nesërme do të ketë një tjetër mbledhje. Intervista e Bylykbashit në Klan.