Politikë

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda presidencës franceze

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda

Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, në deklaratën për mediat pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE, ka kërkuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës franceze. Përfaqësuesi i Lartë i BE tha se angazhimi ndaj Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm dhe se zvarritja e mëtejshme e këtij procesi dëmton të dy palët, por është edhe një dhuratë për Rusinë.

“Duhet të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë menjëherë. Ky është gjithashtu dhe një angazhim im personal si përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe zëvendëspresident i Komisionit Europian. Shpresoj, që kjo do të ndodhë gjatë presidencës franceze. Është më shumë se një shpresë dhe se një urim. Ne të gjithë e shohim se kjo vonesë është e papranueshme. Nuk mund t’iu kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që përmbushin të gjitha kriteret, të rrinë ulur, lidhur me njëri-tjetrin, pa iu dhënë atyre një perspektivë të qartë,” ka deklaruar Borrell.

Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell Fontelles ka ftuar sot në Bruksel ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune. Qëllimi kryesor ka qenë marrja në konsideratë e shqetësimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor si rrjedhim i kërcënimit që përbën për rajonin agresionit rus në Ukrainë, si dhe përçimi i një mesazhi të qartë për procesin e integrimit europian.