Politikë

Nishani për zgjedhjet në PD: Basha ka marrë 40% më pak vota se në 2017, ja cilët njerëz ka hequr nga listat e anëtarësisë

Nishani për zgjedhjet në PD: Basha ka marrë 40% më pak vota

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani i ftuar në emisionin “Raw Politics” të analistes Erla Mëhilli, ka komentuar procesin e zgjedhjeve brenda partisë më të madhe opozitare. Nishani e ka cilësuar procesin “një maskaradë elektorale” dhe ka dhënë një shembull nga qyteti i Korçës:

“Në qytetin e Korçës, atje ku të gjithë kandidatëve u dha mundësia që të dërgonin vëzhguesit e tyre, duke marrë parasysh dhe mospjesëmarrjen, ka marrë mbështetjen e 17% të anëtarëve që ishin në lista. Në Maliq, shumë afër Korçës, ku kandidatët e tjerë për shumë arsye nuk e monitoruan dot procesin, Basha ka fituar mbi 70 Në Bashkinë Devoll nëse para 3 muajsh lista e anëtarësisë që votoi për kandidatët për deputetë kishte 2100 anëtarë, pas tre muajsh kjo liste kishte vetëm 900 anëtarë”.

Ndërkohë, përsa i përket të larguarve nga lista kreu i Këshillit Kombëtar të PD ka thënë se të gjithë ata që kritikuan përzgjedhjet e Bashës për deputet janë spastruar nga listat dhe ka nënvizuar faktin që edhe me këtë proces të manipuluar, Basha ka marrë 40% më pak vota sesa në zgjedhjet brenda PD të vitit 2017.

“Kushdo që gjatë procesit të konsultimit të brendshëm ka kritikuar kandidatët e Bashës për deputet është hequr nga lista dhe kanë votuar vetëm njerëzit që janë besnikë të Bashës. Kjo shpjegon sesi u shkurtuan listat me 30 mijë anëtarë. Pretendimi se do të jetë në lista vetëm anëtarësia “aktive”, është absurde. Kush e përcakton nëse je anëtar aktiv? Sidomos tani me pandeminë nuk kishte evente që anëtarët të dilnin në fushatë.

Basha përfaqëson sot më pak se 30% të anëtarësisë. Në mënyrë spekulative përcillet një shifër që Basha ka fituar me 81% të votave. Kjo nuk tregon peshën politike të z. Basha. Sot kam marrë vetëm 28-29% të votave të anëtarësisë së PD. Zgjedhjet e kaluara ka marrë 54 mijë vota dhe sot 32 mijë vota, ka 40% rënie brenda katër viteve”- ka shtuar Nishani për Erla Mëhillin.

Tiranapost.al