Politikë

Nuk do lejoj askënd që të ndalë orën e Tiranës për interesa politike

Nuk do lejoj askënd që të ndalë orën e Tiranës

Politika duhet të qëndrojë larg çështjeve që prekin drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve, të cilët e përkrahin zhvillimin e transformimin e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në emisionin e mëngjesit “Wake Up”, në Top Channel, tha se dy nga çështjet një u zvarritën për faj të politikës ishin projekti i Unazës së Madhe dhe Teatrit të ri Kombëtar.

“Ne, shqiptarët, e kemi të mundur të mos i politizojmë gjërat. Për sa kohë që, tek fusha e futbollit në Laprakë po lozin të majtë e të djathtë, për sa kohë që në Pazarin e Ri bëjnë pazar edhe nënat e majta edhe të djathta dhe për sa kohë tek Liqeni dalin për vrap edhe të majtë edhe të djathtë, do të thotë se është e mundur. Ne shqiptarët, thjesht duhet ta ndajmë mendjen të bashkëpunojmë dhe mos të pengojmë njëri-tjetrin. Ne humbëm tre vite tek Teatri. Ne humbëm tre vite tek “Astiri”. Kjo është arsyeja pse organizova 12 dëgjesa me artistët dhe sot 99% e tyre ranë dakord”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se shumë nga ata që dje protestonin, sot kanë pranuar që janë përdorur nga politika.

“Qyteti nuk mund të humbasë më kohë! Kemi organizuar 12 dëgjesa; kam qenë edhe tek dëgjesa kur jam qëlluar me vezë, kam qenë edhe në dëgjesa ku një aktor merrte porosi direkt nga selia e partisë me mesazhe, por s’ka asnjë problem. Njerëzit kanë të drejtë të bëjnë karrierë në politikë, - madje u provua ajo që thashë, që dy organizatorët ishin edhe kandidatë për deputetë, - por, të ngatërrosh politikën me nevojën që ka qyteti për një shtëpi të madhe arti... Shumë prej atyre që protestonin për këndin e lodrave, jo vetëm që janë kthyer sot në miq, por kanë kërkuar ndjesë duke thënë ‘na marrosi politika’”, tha kryebashkiaku.