Politikë

Nuk është thjesht një politikë zgjerimi! Politikanët mesazhe për Ditën e Europës

Nuk është thjesht një politikë zgjerimi! Politikanët

Çdo 9 maj të çdo viti festohet Dita e Europës. Bashkimi Europian e përcaktoi 9 majin si ditën e përkujtimit të deklaratës së Robert Schuman në 1950-ën ku i bënte thirrje vendeve si Gjermania dhe Franca që të bëhen bashkë, dhe të hidhnin themelet për një Federatë të Ardhshme Europiane. Dhe në vitin 1985, në samitin e Milanos, u vendos që 9 maji të shpallet si Dita e Europës.

Politikanët shqiptarë kanë postuar mesazhet e tyre, ku shprehin mirënjohje për mbështetjen e Shqipërisë jo anëtare, sidomos në kohët e fundit me ngjarjet tragjike si tërmeti i 26 nëntorit por edhe situata e pandëmisë së koronavirusit, që duket se ndikoi në samitin e Zagrebit, ku pritej që Shqipërisë ti çeleshin negociatat.

Presidenti Meta, Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe përfaqësues të tjerë të politikës shqiptare kanë postuar mesazhet e tyre.

Meta ka postuar një letër drejtuar Presidentit të Këshillit Europian.

Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta juve, si dhe të gjithë qytetarët evropianë në Ditën e Evropës! Muajt dhe javët e fundit kanë qenë një vitrinë e vërtetë e solidaritetit, mbështetjes dhe inkurajimit evropian ndaj Shqipërisë.

Unë dhe bashkëqytetarët e mi jemi mirënjohës për ndihmën e menjëhershme që na dhatë pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar, për përgjigjen e integruar ndaj pandemisë si dhe për vendimin inkurajues të Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jam i inkurajuar gjithashtu edhe nga përfundimet e Samitit të Zagrebit, që ritheksuan perspektivën evropiane të rajonit tonë si dhe domosdoshmërinë për të pasur një proces të pakthyeshëm pranimi, të mbështetur mbi vlerat e përbashkëta evropiane.

Do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të favorizuar një zbatim të mirëfilltë të reformave, veçanërisht në drejtim të ndërtimit të një demokracie funksionale dhe të mbizotërimit të sundimit të ligjit, plotësisht në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore,sipas standardeve më të mira evropiane.

Këto kohë sprovuese vërtetuan edhe një herë se bëhemi edhe më të fortë, vetëm duke qenë të bashkuar. Zoti President, Gëzuar Ditën e Evropës

-Kryeministri Rama ka postuar një video, dhe ku njofton se në orën 13:00 do ketë një konferencë me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca: 

- Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka postuar një foto me kreun e PE-së dhe shkruan: 

Është një koinçidencë e bukur që Dita e Europës pason Ditën e fitores mbi fashizmin, mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë. Liria dhe të drejtat qytetare janë thelbi i Bashkimit Europian. I cili nga ana e tij është një ndër projektet më frymëzuese të njerëzimit. Europa është sinteza e vlerave perëndimore.

Qytetërimi perëndimor është një ndër kulmet e zhvillimit bashkëkohor të njerëzimit. Ky qytetërim është i hapur dhe paqësor me qytetërimet e tjera dhe kjo hapje është tipari më emancipues i Europës. 9 Maji 2020 është e para Ditë e Europës, pasi Shqipëria ka merituar konsensusin e Këshillit  Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Qasja e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një politikë zgjerimi, por rikthimi i ballkanasve në shtëpinë dhe familjen e tyre. Me përfundimin e këtij projekti, e gjithë familja europiane do të kthehet në shtëpinë europiane.

Mirënjohje të gjithë atyre që i janë përkushtuar dhe kontribojnë për këtë projekt. Një përshëndetje të veçantë kam sot për emigrantët shqiptarë, këta europianë shqiptarë, që i kanë lartësuar emrin atdheut të tyre në vendet e Bashkimit Europian.  Jam krenar që çelja e negociatave u arrit duke u shërbyer shqiptarëve si Kryetar i Kuvendit të tyre dhe si rezultat edhe i përpjekjeve e kontributit të Kuvendit të Shqipërisë”shkruan Kryetari i Kuvendit.  

-Ditmir Bushati: 

Gëzuar Ditën e Europës! Ndërsa sot festojmë 70 vjetorin e projektit Europian, është e rëndësishme të kujtojmë edhe një herë se, pa Ballkanin Perëndimor, projekti Europian mbetet i papërfunduar! 

-Lulzim Basha zhvillon takim online me ambasadorin Luigi Soreca: 

Me ambasadorin Luigi Soreca në Ditën e Europës: Mirënjohje për mbështetjen e çmuar të BE për Shqipërinë kundër COVID-19 dhe për krizën ekonomike. Vëmendja dhe mbështetja e BE është jetike për popullin shqiptar. Partia Demokratike e përkushtuar për ta bërë anëtarësimin në realitet për shqiptarët.

-Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së. 

Sot është Dita e Europës

Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare i kanë dhënë vendit tonë në përmbushje të reformave të ndërmarra për konsolidimin e shtetit të së drejtës, forcimin e institucioneve dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kjo ditëlindje e Bashkimit Europian e gjen Shqipërinë në një moment të rëndësishëm lidhur me fillimin e negociatave drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, një qëllim strategjik kombëtar i Shqipërisë, si një vend që synon konsolidimin e demokracisë, respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të bashkëpunimit reciprok, të transparencës, të gjithëpërfshirjes dhe të ekonomisë funksionale të tregut, të cilat përbëjnë vlerat e përbashkëta mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian. Procesi i integrimit Europian gëzon mbështetjen e plotë të qytetarëve shqiptarë.