Politikë

Opozita letër për ODIHR-in/ Gjiknuri nuk e firmos: Është e njëanshme, pres propozime konkrete

Opozita letër për ODIHR-in/ Gjiknuri nuk e firmos: Është e

Në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik, opozita e bashkuar ka paraqitur një kërkesë zyrtare për OSBE/ODIHR, lidhur me cështjen e hapjes së listave dhe koalicionet.

Këtë letër, bashkëkryetari Damian Gjiknuri e ka cilësuar si të njëanshme, ndaj nuk mund të firmoset prej tij. Po ashtu Gjiknuri citohet se është shprehur që letra është një vazhdim i retorikës së tyre politike.

Sipas Gjiknurit, në tryezë nuk është sjellë asnjë draft e propozim konkret, lidhur me kërkesat për hapjen e listave dhe koalicionet, ndërsa ai ka përsëritur se nuk mund t’i drejtohen ODIHR-it pa një produkt konkret.

“ODIHR i drejtohemi vetem me produkt konkret. Pres propozimet tuaja konkrete per amendamentet. Tek ODIHR drejtohemi për mosmarrëveshjet për draftet, jo mosmarrëveshje teorike. Sipas 14 Janarit, ODIHR i kërkohet opinion për cështje të administrimit zgjedhor”, mësohet të jetë shprehur Gjiknuri në mbledhjen e Këshillit politik.

Detaje nga letra:

Opozita paraqiti një kërkesë për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:

1. A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?

2. A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.

3. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?

4. A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?

5. Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?

Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qëndrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.