Politikë

Pas takimit 3-orësh nuk ka asnjë marrëveshje për Zgjedhoren! Gjiknuri: Na duhet një takim Rama-Basha

Pas takimit 3-orësh nuk ka asnjë marrëveshje për Zgjedhoren!

Pas tre orë e gjysmë diskutime nuk është arritur asnjë marrëveshje e re mes palëve për Reformën Zgjedhore, lidhur me votimin elektronik dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Kërkesa është bërë nga PD, ndërsa Damian Gjiknuri u shpreh se PS-ja pranon që teknologjia të jetë pjesërisht në vetëm disa zona.

"Pjesa më e madhe e kërkesave janë pranuar. Edhe teknologjia, dakord ta përfshijmë identifikimin biometrik, por a është e mundur? Hajde të pyesim sa kohë do teknologjia? Nëse e bëjmë pjesore të zgjedhë qendrat PD-ja, aty ku dyshon. Po imagjinoni të themi nuk bëhen dot zgjedhje se nuk funksionoi teknologjia, se ka dështimet e veta", tha bashkëkryetari i tryezës, Gjiknuri.

Ndërsa lidhur me kërkesën tjetër që rolin e Kolegjit Zgjedhor ta marrë Gjykata Kushtetuese, që të jetë kjo e fundit që të vendosë për fatin zgjedhjeve pas apelimeve të palëve politike, Gjiknuri tha se nuk është kundër, por ka disa probleme mbi këtë kërkesë.

"PD bëri propozim që Kolegj Zgjedhor të jetë gjykata Kushtetuese u lamë kohë ekspertëve që të përgatisin, e para çfarë parashikon Kushtetuta dhe kjo duhet parë. Nuk dhamë kundërshti, të marrim kohë ta shikojmë si propozim. Aty ka disa probleme se Kushtetuta i ka të qartë kompetencat", tha ai.

Po ashtu palët nuk ranë dakord lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore, për të cilën nuk ka rënë dakord opozita. Gjiknuri u shpreh për mediat se ndërsa nuk ka një dakordësi mes palëve, do të ishte e rëndësishme një takim Rama-Basha:

"Një takim mes Ramës dhe Bashës është në dorën e tyre dhe i bën mirë Shqipërisë nëse do të kishte. Ku ka më mirë sesa liderët të ulën në tryezë dhe të diskutojnë çështje të mëdha. Si mund të jem kundër një takimi Rama-Basha kur unë takoj përfaqësues të PD".