PD feston e ndarë 33-vjetorin e themelimit! Basha mbush plot Pallatin e Kongreseve, te Berisha pjesëmarrje e ulët
Partia Demokratike e ka festuar e ndarë këtë 33-vjetor të themelimit të saj. Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha mblodhi pasditen e së hënës mbështetësit e tij në Pallatin e Kongreseve ndërkohë që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij demokratë janë mbledhur në një hotel në Tiranë.
Në ceremoninë e organizuar nga Basha vërehet një pjesëmarrje më masive, ndërsa në atë të organizuar nga Berisha vërehet pjesëmarrje më e ulët.
Në fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve Lulzim Basha tha se shumë demokratë kanë mbetur të zhgënjyer prej atyre të cilëve u kanë dhënë shumë përgjatë viteve dhe që tashmë enden rrugëve duke ju trembur drejtësisë.
“Askush asnjëherë nuk do të mund ta bëjë pis ngjarjen historike të themelimit të PD. Askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta fshijë sakrificën e themeluesve të saj. Mirënjohje për jetë studentëve dhe themeluesve të PD. Partia Demokratike është partia e shoqërisë së lirë shqiptare. E di që në këtë përvjetor nuk jemi aty ku ne donim të ishim. E di që në këtë përvjetor nuk i kemi në krah të gjithë. E di që shumë nga njerëzit që punuan dhe kontribuuan për partinë nuk janë këtu me ne. E di që në këtë përvjetor jemi zhgënjyer nga shumë për të cilët vetëm kemi dhënë në këto vite. E di që në këtë përvjetor një pjesë e jona sillet akoma rrugëve e verbuar nga interesi personal, e frikësuar nga gjykimi i historisë, e trembur nga dora e drejtësisë.”