Politikë

PD kërkon dorëheqjen e Edi Ramës për Inceneratorët

PD kërkon dorëheqjen e Edi Ramës për Inceneratorët

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama për aferën e Inceneratorëve.

“PD kërkon sot dorëheqjen e menjëhershme të Edi Rama. PD iu bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe Shqipërisë. Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti.

Për Mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet.

Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi.

Dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit.

Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fake’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

‘Fake’ sepse, pas tyre janë Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj dhe Rama.

Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve’.

Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze.

Nën dritën e fakteve të reja, skandalit të radhës dhe traditës në hajdutëri të kësaj qeverie, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.

Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjiteti të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet.

Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale.

Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!”.

Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë.

Hiq dorëheqjen e Edi Ramës dhe fundin e qeverisë më të korruptuar në historinë e Europës.Ndaj, të nderuar qytetarë, bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve”, deklaroi Belind Këlliçi për mediat.