Politikë

PD kundër hapjes së listave: Ta vendosin qytetarët me referendum

PD kundër hapjes së listave: Ta vendosin qytetarët me referendum

Partia Demokratike është kundër hapjes së listave zgjedhore tani, një nga çështjet që ka lënë pezull marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, PD deklaron se tani nuk është koha e përshtatshme “në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia”. Ndërsa nga ana tjetër shkruan se për këtë duhet të vendosin qytetarët përmes një referendumi.

Për këtë çështje kryeministri Rama u shpreh dy ditë më parë, pas një takimi me përfaqësues të opozitës parlamentare, se mund të arrihet një kompromis përmes një formule. Ndërsa opozita parlamentare e kanë kusht hapjen e listave.

Deklarata e PD:

Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.

Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve. Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Lexo më shumë: