Politikë

PD reagon për planin financiar me masat kundër koronavirusit nga qeveria Rama

PD reagon për planin financiar me masat kundër koronavirusit nga

Partia Demokratike thotë se plani i qeverisë është një hap i parë i mirëpritur por është i pamjaftueshëm. Referuar 7 pikave të planit ekonimik për të përballuar situatën me koronavirusin, PD thotë se plani ka nevojë urgjente për transparencë dhe për tu detajuar. Kujtojmë se Rama tha se nesër do të publikohet edhe më hollësisht plani.

REAGIMI I PD

PD e konsideron planin e masave social-ekonomike si të domosdoshëm për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirus. Propozimi i Qeverisë ka nevojë urgjente për transparencë dhe për t’u detajuar. Masat e shpallura vlerësohen nga PD si një hap i parë i mirëpritur, por i pamjaftueshëm.

PLANI FINANCIAR QE DEKLAROI RAMA
Plani ynë për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejt në ekonominë e tyre të përmuajshme ka këto 7 pika:

– Së pari, 2.5 mld lekë ose 25 mln dollarë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje dhe materiale mjekësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor;

– Së dyti,10 mld lekë ose 100 mln dollarë përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre;

– Së treti, 6.5 mld lekë ose 65 mln dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës;

– Së katërti, 2 mld lekë ose 20 mln dollarë që vihen në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar;

– Së pesti, 1 miliard lekë ose 10 mln dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.

– Së gjashti, do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot familjar apo biznes i vogël me efekt financiar deri në 15 mld lekë ose 150 mln dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 e mijë e 24 abonentë;

– Së shtati, do të riskedulojmë në 6-mujorin e dytë 2020 dhe në vazhdim tatim fitimin për gjithë biznesin deri në fashën nga 2 në 14 mln lekë ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro.

Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtpërdrejt, do të përfshihet nesër me gjithë të tjerat si pjesë e aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit 2020.