Politikë

Përçahet opozita e re, 6 deputetë dalin pro marrëveshjes për Reformën Zgjedhore

Përçahet opozita e re, 6 deputetë dalin pro marrëveshjes

6 përfaqësues të opozitës së re, Lefter Maliqi, Gjetan Gjetani, Suzana Topi, Fatjona Dhimitri, Besnik Troplini dhe Artur Roshi do ta votojnë marrëveshjen zgjedhore që është arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Në një deklaratë jashtë Kryesisë së Kuvendit, Artur Roshi tha se do ta miratojnë marrëveshje pa ndryshime pavarësisht se ajo dëmton partitë e vogla, sepse sipas tyre është dhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me BE.

“Është një marrëveshje e mbështetur nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Nuk është se mbron interesat e partive të vogla. Do te jemi pro kësaj marrëveshje. Jo se morëm atë që deshëm, por është ajo që i duhet vendit. Partia Balli Kombëtar është një parti e hapur dhe ne kemi dalë gjithmonë mbi veten. Ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, ne nuk morëm atë që deshëm. Ne para integrimit nuk mund të zgjedhim një rrugë tjetër, pasi ajo është kusht për hapjen e negociatave”, tha deputeti Roshi.

Të të njëjtit mendim ishin edhe dy deputetët e tjerë. Ndërkohë që më herët opozita parlamentare bojkotoi seancën e Kuvendit, me përjashtim të këtyre deputetëve, me thirrjen që nuk do ta votojnë reformën pa u dakordësuar për hapjen e listave.

Pas Roshit, Lefter Maliqi në deklaratë tha se janë 11 deputetë që do e votojnë marrëveshjen nga opozita e re, por nuk mund të bënte publikë emrat e tyre. 

'Mbas marrëveshjes së 5 qershorit të firmosur nga të treja palët, unë kam deklaruar që jemi mbi 11 deputetë që votojmë marrëveshjen në rezidencën amerikan. Unë do vija me 6 deputetët, po 3 të parët e dhanë deklaratën, jemi mbi 11 deputetë dhe kjo i shërben drejtpërdrejtë integrimit të bashkimit Europian dhe thirrja ime është e drejtpërdrejtë, jemi shumë të vonuar. Kjo marrëveshjë është mbështetur edhe nga Pompeo, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje sa më të shpejta dhe çdo vonesë është një lloj aktrimi dhe çdo nisme të opozitës së re po ju përdor kalorsi i rilindjes dhe i bëj thirrje të mos përdoren më . Votimi biometrik është arritja kryesore në këto zgjedhje. Bëj thirrje që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Nuk ka nevojë për votim të fshehtë por të jetë i hapur. Mbaj përgjegjësi që janë 11 emra që do e votojnë, por nuk mund të bëj publik emrat e tyre'.

Ndërkaq Suzana Topi ka postuar një status në Facebook ku konfirmon votën e saj për marrëveshjen: 

Konfirmoj qendrimin tim ne mbeshtetje te dakordesise se 5 qershorit. Qendrimi im eshtë bêrê publik edhe me pare.

Konfirmoj voten pro per kete dakordesi, pa asnjë ndryshim tjeter.

Tashme parlamenti e ka shumicen e nevojshme per te votuar nje ore e me pare dakordesine e 5 qershorit dhe per ti qendruar korrekt konsensusit, duke mos ndermarrë asnje ndryshim te njeanshem qe cenon konsensusin e arritur mes forcave politike.

Shqiperia e ka vendin vetem ne Europen e Bashkuar.

Qendrimi dhe vota ime eshte dhe do te mbetet ne funksion te integrimit sa me te shpejte me Europe.

Kesaj i sherben dhe votimi i kodit zgjedhor, pa asnjë ndryshim tjeter të njeanshëm.

Ky eshte plotesimi i nje nga 15 kushtet për hapjen e negociatave.

Ftoj mazhorancën qe ti qendroje zotimit dhe te sjelle ne kuvend kodin zgjedhor sa me parë per tu votuar!!

Me 77 deputetë që ka shumica socialiste në Kuvend dhe 6 të deklaruarit nga opozita parlamentare, numri i votave  pro Zgjedhores shkon në 83: vetëm 1 votë larg votimit. Drafti kërkon 84 vota për miratim.