Politikë

Përplasja për tenderat sekretë, SPAK: Morëm përgjigje të premten nga ministria e Shëndetit

Përplasja për tenderat sekretë, SPAK: Morëm përgjigje

Burime nga SPAK për News 24 kanë treguar se ditën e premte kanë marrë përgjigje nga ministria e Shëndetit, pasi në këtë institucion janë dërguar disa pyetje nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me akuzat e PD, për tendera sekretë dhe së fundmi iu shtua edhe incidenti me një zjarr që ka rënë në godinën e MSH-së, që sipas PD janë asgjësuar dokumentet e tenderave. 

SPAK iu drejtua me 5 pyetje Ministrisë, ku kërkonte të dinte:

Çfarë procedure është ndjekur në tenderat e zhvilluar? Çfarë klasifikimi sekret dhe çfarë niveli sekret kanë tenderat e zhvilluara nga ky institucion? Numrin e tenderave të zhvilluar me procedurë sekrete? Sa është vlera e tenderave me procedurë sekrete? Çfarë është blerë me këto tendera?

Po të njëjtat burime nga SPAK kanë treguar se i është dërguar një shkresë zyrtare Kontrollit të Lartë të Shtetit për të kryer auditin dhe se ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se KLSH e ka nisur këtë audit.

Lidhur me akuzat e PD-së;

Ministria e Shëndetit pranoi se kishte patur një incident 26 ditë më parë, nga një punonjëse ndaj të cilës është marrë masë administrative por theksoi se nuk është djegur asnjë dokument me rëndësi, siç pretendon opozita për dokumentet e tenderave ‘sekretë’.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi paraditen e sotme se i ka dorëzuar në SPAK, të gjithë dokumentet e kërkuara lidhur me tenderat.

Ditën e djeshme ministrja Manastriliu mohoi të ketë rënë zjarr në institucionin që drejtohet prej saj, duke thënë se e gjitha kjo është një sajesë e Bashës.

"Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t'i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi".

Sot PD zbuloi një email, ku shkruhet se në orën 18:00 më 15 prill ka pasur zjarr në katin e katërt të Ministrisë.

Përplasja për tenderat sekretë, SPAK: Morëm përgjigje

Sipas email-it të publikuar nga PD, është ndezur sistemi i alarmit dhe pas kontrollit të bërë është dalë në përfundimin se janë djegur disa letra, të cilat më pas janë shuar me ujë, ndërsa ishte tymi që aktivizoi sinjalin e alarmit.

PD pretendon se dokumentet lidhjen me blerjen me dy deri në katër fish të mjeteve mbrojtëse për mjekët, e kiteve të testimit apo respiratorëve.