Presidenca për ndryshimet Kushtetuese për Zgjedhoren: T'i jepet fund çdo marrëzie
Marrëzi të cilës i dihet fundi, e quan presidenti Meta miratimin e ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, presidenti Meta thotë se për ndryshime kushtetuese duhen 94 vota, dhe se Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitimë. Meta më herët ka thënë se është lajm i mirë që palët kanë arritur një dakordësi për reformën zgjedhore që do të votohet në Kuvend, por lidhur me ndryshimet kushtetuese që do të votohen po në atë parlament presidenti shpreh këtë qëndrim:
Postimi i plotë i Tedi Blushit në Facebook:
"Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.
Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Ndaj është koha t'i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.
E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët! Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa".