Politikë

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier vizitë zyrtare nesër në Tiranë

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier vizitë zyrtare nesër

Pak përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, Tiranën zyrtare do ta vizitojë ditën e nesërme Presidenti Federal Frank Walter Steinmeier.

Ambasada gjermane në Tiranë ka zbardhur axhendën e vizitës dyditore, e para e një presidenti gjerman në Shqipëri:

“Kjo është hera e parë në 27 vjet që një president gjerman viziton Republikën e Shqipërisë. Presidenti Federal Steinmeier ka pasur mundësinë të njihej me Tiranën dhe të zhvillonte bisedime në detyrën e tij të mëparshme si ministër i Jashtëm. Programi i udhëtimit përfshin bisedime me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, si dhe një fjalë në Kuvend. Gjithashtu, është planifikuar një takim me nxënës nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të hidhet dritë mbi potencialet ekonomike dhe mundësitë këtu në Shqipëri. Presidenti Federal është i lumtur që do mundë të njohë historinë dhe kulturën shqiptare gjatë një vizite në Berat, duke krijuar kështu një përshtypje mbi bashkëpunimin gjermano-shqiptar për zhvillim”, thuhet në deklaratë.

Frank Walter Steinmeier nisi dje një udhëtim në Maqedoninë e Veriut, ku pjesë e axhendës ishin takimet me Presidentin Pendarovski dhe Kryeministrin Kovaçevski, si edhe një fjalim para Parlamentit.

Vizita e Steinmeier, sipas faqes zyrtare të presidentit gjerman, fokusohet në situatën në rajon, ndikimin e luftës në Ukrainë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivat e anëtarësimit të vendit në BE.