Politikë

Presidenti jep detaje çfarë u diskutua në mbledhjen virtuale me Ramën dhe Bashën: Kishte bashkëpunim

Presidenti jep detaje çfarë u diskutua në mbledhjen virtuale me

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese sipas Presidentit Ilir Meta. Mbledhja mblodhi virtualisht në një tryezë kreun e shtetit, kryeministrin Rama dhe kryeopozitarin Basha, vec disa nga ministrave të kabinetit qeveritar.

“Mbledhja pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë. Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Çështjet e diskutuara ishin:

Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19;

Përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19;

Masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.

Kryetari i Kuvendit z.Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.

Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.