Politikë

Presidenti Meta kthen për shqyrtim në Parlament “Menaxhimin e Buxhetit”: Cënon ndarjen e pushteteve

Presidenti Meta kthen për shqyrtim në Parlament “Menaxhimin e

Presidenti Ilir Meta pak ditë pasi ka kthyer ligjin e miratuar “Për të huajt” në Parlament, ka ndërmarrë të njëjtin vendim për Aktin Normativ për “Menaxhimin e Buxhetit”. Kreu i shtetit e ka argumentuar këtë vendim me pretendimin e ligji në fjalë cënon parimet e ndarjes dhe balancës së pushteteve, por edhe shtetin e së drejtës.

Argumentat e Presidentit Meta për kthimin e Aktit Normativ për shqyrtim në Parlament:

ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 86/2021, “PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR. 25, DATË 22.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9936, DATË 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 01 korrik 2021, ka miratuar ndër të tjera edhe ligjin nr. 86/2021 “Për miratimin e Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje me shkresën me nr. 1612 prot., datë 12.07.2021, të Kuvendit. Sipas praktikës parlamentare, të konsultuar në faqen zyrtare të Kuvendit, Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, është hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe pas miratimit në Këshillin e Ministrave, rezulton se projektligji është paraqitur në Kuvend për shqyrtim në datë 23 qershor 2021.

Referuar praktikës parlamentare të publikuar, ky akt normativ me fuqinë e ligjit nëpërmjet ndryshimeve në ligjin organik të buxhetit (LOB), synon ofrimin e stimujve të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore në kuadër të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, pas goditjeve të njëpasnjëshme prej tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Konkretisht, sipas relacionit shpjegues, akti normativ me fuqinë e ligjit propozon:

– parimet dhe rregullat fiskale, të përcaktuara në pikat 1 deri në 4, të nenit 4/1 të ligjit ekzistues, të mos aplikohen përjashtimisht për vitin 2021, duke e konsideruar si të domosdoshme për dhënien e fleksibilitetit të nevojshëm buxhetit të shtetit, jo vetëm si instrument kryesor stabilizues i amortizimit të goditjeve negative në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme, por edhe si një nxitës të rritjes së qëndrueshme ekonomike nëpërmjet targetimit të sektorëve të cilësuar si produktiv dhe jetik për ekonominë e vendit.

– zbatimin e rregullit fiskal të përcaktuar në pikën 5, të nenit 4/1, të ligjit ekzistues i cili konsiston në detyrimin ligjor që, balanca primare e buxhetit nuk mund të jetë më e vogël se sa zero, do të hyjë në fuqi në vitin 2024, duke qenë kësisoj në funksion të forcimit të mëtejshëm të kredibilitetit dhe qëndrueshmërisë së financave publike.

Projektligji është shqyrtuar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen e datës 29 qershor 2021, si dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënien e mendimit, në mbledhjen e datës 25 qershor 2021, duke kaluar më pas për miratim në seancë plenare.

Pas shqyrtimit të përmbajtjes së Aktit Normativ miratuar me ligjin nr. 86/2021, vlerësohet se, ai nuk është në harmoni me nenet 4, 7, 101, si dhe nenet që i përkasin Pjesës Trembëdhjetë të Kushtetutës, për shkak të parashikimeve në shkelje të parimeve dhe dispozitave kushtetuese si më poshtë:

• Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave, pasi nuk justifikohet as nevoja dhe as urgjenca, në miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit;

• Shkel parimin e shtetit të së drejtës;

• Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

• Shkel parimin e proporcionalitetit.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, si President i Republikës kam vendosur që ligji nr. 86/2021 “Për miratimin e Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim.

Tiranapost.al