Politikë

Prezantohet platforma Akademi.al, Rama: Nxënësit këtu do marrin mësim nga mësuesit më të mirë. Ja pse duhet të hyni

Prezantohet platforma Akademi.al, Rama: Nxënësit këtu do marrin

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi kanë prezantuar në Lezhë platformën online Akademi.al.

Në fjalën e saj ministrja Kushi tha se Akademi.al është portal i së ardhmes, ndërsa shtoi se me këtë platformë, nxënësit mund të dorëzojnë edhe detyrat e shtëpisë.

Ndërkohë kryeministri Rama tha se Akademi.al i përgjigjet më së miri sfidave aktuale dhe njëkohësisht është një alternativë që mbështet strategjinë afatgjatë për mësimin e kombinuar me një sërë avantazhesh për nxënësit, mësuesit e prindërit.

Rama tha se përmes platformës Akademi.al nxënësit do marrin mësim nga mësuesit më të mirë të Republikës duke shmangur aktivitetin e mësimmarrjes në një klasë ku në një bankë mësuesi shpjegon për klasën e dytë dhe në tjetrën për klasën e shtatë.

“Jemi këtu sëbashku në një shkollë të rindërtuar nga bashkia e Lezhës. Ishte në gjendje të vështirë, por tani është rindërtuar si shumë shkolla të tjera në Shqipëri.

Sot jemi këtu për të çuar përpara një nismë të qeverisë sonë në mbështetje të nxënësve që janë ende në klasa kolektive që janë ende një problem i madh. Një problem i madh i trashëguar nga e shkuara që i pamundësojnë fëmijëve të kenë trajtim të barabartë në mësimnxënies krahasuar me fëmijë të tjerë. Nga ana tjetër siç e tregon edhe kjo nismë, çdo krizë me të cilën përballemi është edhe mundësi, çdo mur që na del përpara nxit imagjinatën tonë për të bërë një sforco për ta kapërcyer. Nisma për digjiitalizimin për ti dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses të marrin mësimin nga mësuesit më të mirë të Republikës. Kjo kthen në mundësi një krizë që i ka rrënjët larg në të shkuarën që ne mund ta zgjedhim plotësisht duke i kthyer klasat, stacionet ku këta fëmijë mblidhen të bëjnë aktivitete që ata mund të bëjnë realisht, por jo aktivitetin e mësimmarrjes në një klasë ku në një bankë mësuesi shpjegon për klasën e dytë dhe në tjetrën për klasën e shtatë”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu falenderoi mësuesit  dhe gjithë sistemin arsimor që për shkak të Covid-19 duhet të përballojnë ngarkesë të dyfishtë duke qenë në vijën e parë krahas mjekëve në luftën kundër koronavirusit.

“E fundit që kam lidhet me sfidën e jashtëzakonshme të të gjithë sistemit arsimor që çdo ditë duhet të përballojnë ngarkesën e dyfishtë të të gjithë kësaj situate. Plus ngarkesën e jashtëzakonshme për të qenë dyfish prindër, për të qenë vigjilentë më shumë se çdokush sepse jo vetëm janë në kontakt me shumë fëmij, por përmes fëmijëve edhe me shumë familje. Por kanë edhe detyrën që tia bëjnë fëmijëve sa më të kuptueshme të pakuptueshmen se përse duhet të rrin larg njëri tjetrit.

Falë skuadrave të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave rregullat po zbatohen. Për të gjitha këto unë besoj se mësuesit, drejtuesit e shkollave janë krahas mjekëve në vijën e parë. Mësuesit janë në vijën e parë për të penguar zinxhirin e infeksionit që të shtrihet me shpejtësi dhe të prekë shumë njerëz. Është momenti të bëhemi të vetëdijshëm për rrezikun që po kalojmë. Një mbyllje përsëri do të ishte shumë herë me më shumë pasoja se sa mbyllja e parë, për të gjitha kategoritë dhe në të gjitha aspektet. Këtë duhet ta bëjmë duke mos shmangur bezdinë e mbajtjes së maskës, ruajtjes së distancës, të mos shkuarjes nëpër restorante e klube, shmangies së grumbullimeve. Kjo nuk është lojë apo grip i zakonshëm, ky virus mund të jetë fatal. Ta bëjmë këtë përpjekie sëbashku”, shtoi kryeministri.

Gjithashtu, në fund të takimit u shpërndanë edhe tableta digjitale për nxënës të klasave kolektive në zonën e Lezhës me qëllim që askush të mos ngelet mbrapa me mësime.