Politikë

Drafti i PS për lista 100% të hapura/ Balla: Iku koha kur bënim shpikje alla-shqiptarçe me koalicione si vagon mallrash

Drafti i PS për lista 100% të hapura/ Balla: Iku koha kur bënim

Në 25 prill, sipas draftit të propozuar nga PS, qytetarët do të votojnë jo vetëm partinë, por edhe një prej kandidatëve të vendosur në listën e subjektit përkatës. Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, sqaroi për mediat se listat do të hapen 100%, ndërsa vetëm në këtë mënyrë sipas tij mund të garantohet barazi gjinore.

“Listat e hapura tashmë janë fakt i pakthyeshëm mbrapsht. Kushtetuta ka përcaktuar qartë që më 25 prill qytetarët do të shprehin vlerësimin dhe të japin votën e tyre jo vetëm për partinë, por dhe një prej kandidatëve në një prej listës së subjekteve. Të vazhdojmë diskutimin me opozitën, e nxis opozitën jashtëparlamentare që të bëhet pjesë e diskutimeve. Listat janë 100% të hapura. Sepse çdo kandidat në subjekt do marrë vlerësim me votë nga qytetarët.

Ka ikur koha kur ne bënim Kode Zgjedhor me shpikje alla-shqiptarçe, siç është historia e koalicioneve në 30 korrik, mund të ndërtoje koalicione si vagon mallrash, dhe votat transferoheshin nga një subjekt në tjetër”, tha Balla për gazetarët.

Ai u shpreh se propozimi është bazuar në modelet e Kroacisë, Çekisë, Danimarkës e Belgjikës.