Politikë

Pse i përzumë kundërshtarët nga PD dhe bëmë mirë!

E shtuna e 17 korrikut pas Kuvendit Kombëtar të PD-së ka shkaktuar polemika të shumta, brenda dhe jashtë PD-së. Në listat e anëtarëve të Këshillit u lanë jashtë jo pak kritikë të Lulzim Bashës, e që sipas 'besinikëve' të tij, ata ishin kundërshtarë dhe më mirë që u përzunë. 

Pse i përzumë kundërshtarët nga PD dhe bëmë

Në një intervistë të dhënë së fundmi, deputeti i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, Ervin Saliajni tha se ata që u larguan ishin ata që po e dëmtonin PD-në.

Salianji: Edhe mua më vjen shumë keq, doja të ishin shumë qëndrestarë, njerëz që kanë qenë në çadër, njerëz që kanë qenë 8 vjet në opozitë. Kritikët apo të qënit kritik ndaj diçkaje nuk të bën domosdoshmërisht të jesh i pëlqyer nga anëtarësia apo ata që votojnë. Secili duhet të matet mbi bazën e kontributit. Pastaj, PD, kreu i PD patjetër në procese të tjera që vijnë më pas mund të ketë instrumente të tjera për të bërë të mundur që të gjithë zërat të përfaqësohen dhe të gjithë elementët e vlefshëm të mos mbeten jashtë. Ky është vetëm njëri prej organeve të zgjedhura, është Këshilli Kombëtar i PD. Ka PD mundësi dhe patjetër që do të ketë të gjithë predispozicionin që të gjithë zërat e vlefshëm, elementët me vlerë të përfshihen. Por nuk duhet stimuluar që ai që del kundër në shumicën e rasteve dhe në disa raste mund të jetë i instrumentalizuar, duhet domosdoshmërisht të marrë një pozicion që ti japë zë po të njëjtit muhabet.

Përveç figurave të njohura të PD dhe si kritikë të Bashës, një prej zërave kundër ishte edhe Ardian Isufi, profesori në Universitetin e Arteve i cili ka thënë se PD po funksinon si një klan me tipare arkaike. Por Salianji thotë se reagimi i tij ishte më shumë emocional.

Salianji: Reagimet pas zgjedhjeve kanë edhe emocionin të përfshirë. Ardian Isufi është një prej artistëve më me vlerë në hapësirën shqiptare dhe padiskutim që i bën nder dhe PD. Por një organ partiak si Këshilli Kombëtar mbase mund edhe ti rrijë ngushtë njerëzve me profil të lartë. Do të ketë dhe ka hapësira PD për të përfshirë çdo personalitet që në fushën e vet të ekspertizës është një nga më të mirët.

Por shton se kur bëhet fjalë për Grupin për PD nuk mban të njëjtin qëndrim: E ardhmja e PD nuk mund të mbahet peng nga e shkuara, thotë ai.

Salianji: Më dhimbsen njerëz që kontribuojnë dhe kanë kontribuar dhe nuk janë përfshirë dot për shkak të vendimmarrjes së Kuvendit Kombëtar. Por njerëz që nuk kanë punuar asnjë ditë për PD por punojnë çdo moment kundër PD këta nuk përbëjnë shqetësim për PD fare. Madje të gjithë bashkë janë të refuzuar. Nuk pasqyrojnë ndryshimin por të shkuarën.

Shoqëria shqiptare ashtu si PD ka nevojë të shohë nga e ardhmja, të përfshijë njerëz me kontribute reale në parti, në shoqëri, njerëz që i thonë diçka shoqërisë dhe jo njerëz që udhëhiqen nga mllefi. Edhe në votime treguan se nuk morën as 1% të votave të gjithë bashkë.Këta janë të tejkaluar. Duheshin vlerësuar shumë njerëz që kanë sakrifikuar shumë në 8 vite opozitë dhe të tjerë që janë personalitete në fushat e tyre.

Njerëzit që duan të bëjnë lajm gjatë gjithë kohës për të dëmtuar PD personalisht mendoj se nuk janë shqetësim i PD. Të gjithë bashkë këta ish-presidentë dhe ish-ministra morën 1%, shoqëria kërkon ndryshim dhe nuk mund të shkohet drejt të shkuarës dhe nuk mund të mbahet peng e ardhmja nga e shkuara. Duhet ta lexojmë drejt.

I pyetur nëse PD me Kuvendin Kombëtar ka reflektuar për humbjen në zgjedhje dhe nëse PD ka një vizion të qartë se si do e bëjë opozitën për 4 vitet e ardhshme, Salianji përgjigjet:

Salianji: Thirrjen dhe vendimmarrjen e Kuvendit Kombëtar e lexoj si moment reflektimi dhe hapje rrugës të një ndryshimi për të arritur ndryshimin që ka nevojë Shqipëria dhe PD. Besoj që kryetari i PD dhe PD do të marrë të gjithë hapat e domosdoshëm për të lexuar domosdoshmërinë që ka shoqëria për ndryshim.

*Tiranapost.al.