Politikë

Quajti maxhorancën organizatë kriminale, Rama: Fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale Ilir Metës po i ndodh para kohe

Quajti maxhorancën organizatë kriminale, Rama: Fatkeqësi që

Kryeministri Edi Rama komentoi si fatkeqësi deklaratën e Presidentit Ilir Meta, i cili e quajti një ditë më parë maxhorancën oganizatë kriminale.

I pyetur nga gazetarët, Rama tha se përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Metës po ndodh shumë përpara kohe, ndërkohë që shtoi se është e turpshme dhe sekëlldisëse për të gjithë që të kemi një individ në zyrën e presidencës që ka dalë nga shinat e funksionit të tij.

Si e komentoni deklarimin e presidentit që quajti maxhorancën organizatë kriminale?

Rama: Është fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Ilir Metës po ndodh shumë përpara kohe dhe nuk e di ku do shkojë kaq herët sa ka filluar, sepse nuk është hera e parë. Është shumë e turpshme dhe sekëlldisëse për të gjithë ne që të kemi një individ në zyrën e presidencës që ka dalë nga shinat e funksionit të tij dhe ka vendosur veten dhe institucionin në dispozicion të një force të degraduar siç është partia prej së cilës vjen dhe shkon.

Deklarata e Ramës u bë pas mbledhjes me drejtuesit e PS në qarqe që u zhvillua në Selinë e PS. I pyetur lidhur me detajet nga mbledhja, Rama nuk dha një përgjigje specifike, por falenderoi gazetarët që i ndjekin në çdo mbledhje.

“Kënaqësi dhe nder i madh që ndiqni çdo mbledhje”, tha Rama.