Politikë

Rama: Akuzat për grabitjen e Butrintit, nga po ata që shpallën Bathoren mrekullinë e 8-të të botës

Rama: Akuzat për grabitjen e Butrintit, nga po ata që shpallën

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sot në seancën e sotme parlamentare Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Duke kërkuar ndjesë ndaj Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe kreut të saj, Micheal Granoff, i cili është sulmuar nga opozita se përmes këtij projekti synon të marrë pronësinë e Parkut, Rama i kujtoi Partisë Demkratike se kanë qenë të njëjtat akuza që përbaltën edhe stadumin “Air Albania” ku pasnesër do të luhet finalja europiane e Konferencë Ligës, si dhe Teatrin Kombëtar ku tha Rama së shpejti do të luhet Makbethi.

Pjesë nga fjala e Ramës sot në seancën ku ku u diskutua projektligji për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peisazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit:

Së pari, parku i Butrintit është shpallur i tillë me nismën time si ministër i Kulturës dhe Butrinti është vënë nën mbrojtje nga unë, në atë kohë. Ndryshimi i kufijve të parkut ka ardhur si rezultat i hapjes së rrugës për një valë ndërtimesh pa leje në zonën e Ksamilit dhe rishikimi i kufijve të parkut të Butrintit është bërë me kërkesë të UNESCO-s, në mënyrë që të hiqeshin nga zona e parkut të gjitha ato pjesë të kalbëzuara për shkak të ndërtimtarisë masive pa leje, arkitektët dhe urbanistët e të cilës dihet se kush janë në Shqipëri.

Ne kemi akoma në parlament një personazh që e quante Bathoren “Mrekullinë e 8-të të botës” dhe për të cilën e ka thënë në sy të të gjithëve që është i vetmi qytet në botë që u ndërtua i gjithi pa leje dhe kjo, sipas personazhit, ishte një vlerë e shtuar në listën e mrekullive të botës, pavarësisht se njerëzit aty vuanin të gjitha pasojat e një lumi të tillë ndërtimesh kuturu, pa asnjë kanalizim, pa asnjë ujësjellës e pa asgjë.

Tani, kur dilni ju e flisni për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, është vërtetë të kesh dy, një ta mbash e një ta cash, por as dy nuk dalin. Kur dilni ju dhe flisni për se si Fondi shqiptaro-amerikan do grabisë Butrintin, e vetmja arsye për të dalë këtu është për t’i kërkuar ndjesë fondit shqiptaro-amerikan, për t’i kërkuar ndjesë të gjithë aty që e kanë themeluar, të gjithë atyre që i kanë dhënë jetë dhe të gjithë atyre që janë angazhuar prej kaq shumë vitesh për të kontribuar pa asnjë të ardhur për qëllim fitimi sepse i tillë është fondacioni shqiptaro-amerikan dhe i tillë është legjislacioni amerikan dhe e tillë është nisma e cila e ka origjinën e vet qysh në kohën kur bëhej fjalë për “Liri-Demokraci”.

Të fusësh edhe Fondacionin shqiptaro-amerikan, me në krye një njeri të cilit ia keni dhënë ju shtetësinë shqiptare, nuk ia kam dhënë unë, që quhet Michael Granoff, ia keni dhënë ju shtetësinë shqipare, duke e akuzuar si kusar, këtë mund ta bëni vetëm ju sepse Butrintit, Fondacionit, Fondit dhe gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen.

Ne do vazhdojmë të bëjmë gjënë e duhur dhe është me shumë rëndësi ky ligj që po bëjmë sepse e fut trashëgiminë tonë kulturore në një zonë tjetër komplet dhe është me shumë rëndësi që pikërisht Fondacioni shqiptaro-amerikan merr përsipër të hyjë në këtë punë siç është me shumë rëndësi që strukturohet në një mënyrë krejt tjetër e gjithë forma se si të ardhurat nga trashëgimia kulturore kthehen në investime për trashëgiminë kulturore.

Ju ishit po ata që bënit të njejtën gjë edhe për stadiumin. Ju ishit po ata që e çuat Kombëtaren shqiptare në emigracion për t’i luajtur ndeshjet e shtëpisë në Maqedoni a ku di unë se ku se nuk kishte stadium Shqipëria për të luajtur kompeticionet ndërkombëtare dhe ju flisni akoma sot për trashëgimi e flisni akoma sot për vizion, flisni akoma sot për zhvillim e flisni akoma për korrupsion.

Flisni ju që e keni damkën në lule të ballit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë dhe damkën e keni bërë flamur. Flisni ju për këto gjëra me të cilat keni lidhje sepse i mishëroni fund e krye.

Siç pasnesër, që në fakt në atë stadium nuk duhet të shkelni po të keni një fije karakter po ju nuk keni, kështu që jeni të mirëseardhur të vini atje që të shikoni një finale europiane në stadiumin që e kthyet në dele të zezë dhe e futët në listën e zezë të UEFA-s dhe Kombëtaren Shqiptare e degdisët në emigracion.

Ashtu do jeni të mirë mirëseardhur edhe kur të luhet Makbethi në Teatrin e Ri Kombetar.

Të miresardhur do jeni prapë se siç u bë stadiumi do bëhet dhe Teatri i Ri Kombëtar dhe të gjitha llojet e aleancave që krijoni ju, Aleanca për Teatrin, Aleanca për Butrintin, Aleanca për Stadiumin mbajini me shëndet se nuk i duhen dreqit.

Rrotullohuni sa të doni. Sa më shumë rrotulloheni, aq më thellë zhyteni dhe t’iu rrojë flamuri me damkën në lule të ballit që e keni tani, se gjë tjetër nga ky vend nuk keni se ca merrni dhe këtij vendi nuk keni ça i jepni. Kështu që, ne do ta votojmë siç është ligjin për Butrintin dhe do vazhdojmë t’i bëjmë gjërat siç i kemi bërë dhe ju nuk merrni dot peng askënd dhe nuk mbani dot peng asgjë.

Koha e pengmarrjes suaj ka marrë fund. Ju tani jeni aty ku e keni merituar, pengu më i madh i vetvetes. Këtë deshët, këtë keni arritur dhe tani rrini peng i vetvetes dhe të rroni vetë të gjithë bashkë.