Politikë

Rama falenderon bashkëpunëtorët gjatë viteve dhe Fatos Nanon: E vrava, por e gjeta prapë të rilindur

Rama falenderon bashkëpunëtorët gjatë viteve dhe Fatos

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS që përkon edhe me 30 vjetorin e themelimit të këtij subjekti politik, ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij përgjatë këtyre viteve, përfshirë Gramoz Ruçin, që ka lajmëruar ditën e sotme largimin nga politika. Ai e ka konsideruar Ruçin një mik të afërt dhe gati njeri të familjes dhe është shprehur se vendimi i tij për t’u larguar është pritur me vështirësi nga ai.

Ndërkohë, duke iu referuar ish-kreut të PS, Fatos Nano, Rama ka shprehur një falenderim të veçantë dhe duke qeshur ka thënë se ishte ati i tij politik që e “vrau”, por e gjeti të rilindur.

"Kjo është ditëlindje e bukur. Kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30 por edhe shijen e veçantë të fitores së arritur për të tretën herë radhazi për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar. Faleminderit të gjithë atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat dhe tiparet e mëdha të ndryshimit. Patjetër faleminderit liderit të parë të saj,. babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e 'vrava' dhe pastaj e rigjeta të rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Faleminderit atyre që në emër të PS-së i shërbyen vendit në këto 30 vite. Mbi të gjitha faleminderit të gjithë anëtarëve të kësaj familjeve dhe kontribuuan gjatë kësaj periudhe 30-vjeçare shpresash, ndryshimesh të mëdha, ku jemi rrëzuar, jemi ngritur dhe kemi vazhduar të ringrihemi së bashku. Faleminderit Megi edhe për fjalët e tua dhe unë e besoj se nga atje lart Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është si asnjëherë më parë krenar për ty. Faleminderit të gjithë atyre që na dhanë mbi 5 milionë e mbi 944 mijë vota në këto 30 vite, duke na bërë partinë më të votuar."- ka thënë mes të tjerash Rama.

Tiranapost.al