Politikë

Rama: Fushata elektorale është aneks i fushatës së vaksinimit; ka të drejtë opozita kur thotë se jam i frikësuar, por jo për atë që mendojnë ata

Rama: Fushata elektorale është aneks i fushatës së

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa ka komentuar zhvillimet e fushatës politike dhe procesin e vaksinimit masiv kundër COVID-19, që ka filluar prej disa ditësh.

Rama është shprehur se fushata elektorale është vetëm një “aneks” i fushatës së vaksinimit që bëhet për shpëtimin e jetës së njerëzve. Ndërkohë, në përgjigje të akuzës së kreut të PD, Lulzim Basha se ai ka “frikë” nga mitingjet e opozitës, Rama ka thënë se ai realisht i frikësohet po jo për impaktin e tyre politik, por sepse janë vatra infektimi që minojnë procesin e imunizimit.

"Fushata elektorale për mua është këtë herë një aneks i aktivitetit, sepse për mua epiqendra e aktivitetit është vaksinimi dhe jo thjesht në sensin e vaksinimit praktik, por në sensin e punës që duhet bërë çdo ditë për të patur nga njëra anë garancinë që procesi shkon ashtu siç është verifikuar dhe në këtë rast është fat që në këtë proces në krye ne kemi ministren e Shëndetësisë, por edhe për të vazhduar të garantojmë dozat më tej. Kemi garantuar një sasi të konsiderueshme, por jo të gjithë sasinë e nevojshme dhe sa më shpejt ta garantojmë të gjithë sasinë e nevojshme aq më shumë mundësi kemi që të kryejmë shpejt gjithë procesin e vaksinimit. Kështu që, fushata është një aneks i këtij aktiviteti, por sigurisht një aneks i rëndësishëm edhe besoj që është një fushatë shumë interesante për faktin se zhvillohet në kushtet e çuditshme të mungesës së atyre formave me të cilat jemi mësuar të bëjmë fushatë. E bën interesante fakti që është një fushatë ku fjala ka më shumë peshë, pasi komunikimi është më shumë i bazuar te ato që thua dhe jo tek emocioni që krijon turma po që krijon muzika, apo gjithë energjia e ndeshjes elektorale.

Unë jam i frikësuar vërtetë, dhe ata kanë të drejtë kur bëjnë deklarata që ‘Edi Rama’ është i frikësuar, por ata janë gabim kur frikën time e lidhin me faktin që ata po krijojnë një uragan që do i çojë në fitore. Unë jam shumë i frikësuar për shëndetin e atyre njerëzve që i ndjekin organizatorët. Kjo mund të ndikojë jo vetëm në shëndetin e tyre, por në numrat në përgjithësi sepse po ndodh një fushatë infektimesh në të gjithë territorin, kudo ku shkon drejtuesi i opozitës krijohet një vatër infektimi dhe pastaj ai është një infektim që shpërndahet. Kjo mua më frikëson shumë. Edhe në Kosovë po shohim tani rritje numrash, që lidhen fatkeqësisht me fushatën elektorale kjo më frikëson. Kurse sa i përket ‘uraganit’, unë nuk shoh asnjë uragan, shoh vetëm përsëritjen bajate të të njëjtin film me makina me dy gishta, ‘Rama ik’, një përpjekje për të stimuluar perceptimin se këtu ka shumë njerëz.”- ka thënë mes të tjerash Rama në emisionin “Kjo Javë”.

Tiranapost.al