Politikë

Pas reagimit të SPAK për deklaratën e tij, Rama përgjigjet në “Twitter” sërish

Pas reagimit të SPAK për deklaratën e tij, Rama përgjigjet

Pas reagimit të SPAK përmes një përgjigjeje spontane të kërkuar nga mediat, ku Arben Kraja me koment të rezervuar për akuzat e tjera shprehet se ndaj Dvoranit nuk ka më asnjë cështje të hapur, ka ardhur sërish reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili thotë se nuk i heq asnjë presje deklaratave të mëparshme.

Rama thekson në fund të reagimit të tij se SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur, por Shqipëria e shqiptarët meritojnë një drejtësi të drejtë.

Postim i plotë i Kryeministrit Edi Rama në Twitter:

Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!

Po meqë ka marrë përsipër të sqarohet publikisht, SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm, për një kallëzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s'ka lëvizur ende gishtin!

SPAKU ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen tonë të palëkundur, por Shqipëria e shqiptarët meritojnë një drejtësi të drejtë, të gjithanshme e të guximshme dhe e meritojnë atë pa humbur kohë e pa shmangur peshkaqenët me nam botëror të pushtetit gjyqësor apo politik.