Rama i rikthehet idesë së ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit në BE

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer idesë së ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Në një tjetër intervistë për mediat e huaja, këtë herë dhënë televizionit “France 24”, Rama ka deklaruar se kjo do jetë e pashmangshme nëse vijohet me atë që ai e quan “çmenduria bullgare”, duke iu referuar vetos së vendosur për hapjen e negociatave.
Pjesë nga interviste e Kryeministrit Rama për televizionin “France 24”:
Nëse kjo çmenduria e Bullgarisë do të vazhdojë ne duhet t’i ndajmë rrugët tona në këtë proces. Ne do të jemi së bashku në Ballkanin e Hapur, ne jemi fqinj dhe ne po përpiqemi të krijojmë lidhje të ngushta me Maqedoninë e Veriut dhe me të gjithë fqinjët e tjerë, sepse Ballkani Perëndimor është hallka më e dobët e Evropës dhe është i dobët karshi agresionit rus dhe konfliktit.
Ne nuk duam asnjë lloj kërcënimi të atillë që do të rrezikonte paqen që po ndërtojmë. Ajo që më duket e neveritshme në qëndrimin e Bullgarisë është mënyra si po e bëjnë këtë, sepse Maqedonia e Veriut nuk është aty të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, ata mund ta bllokojnë në çdo moment, është aty për të nisur negociatat që do të kërkojnë vite.