Politikë

Rama intervistë në qendrën “De Balie” në Amsterdam: Nuk është Bullgaria çështja, është BE-ja!

Rama intervistë në qendrën “De Balie” në

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Amsterdam, në një bashkëbisedim gati dy orësh me Yoeri Albrecht, drejtues në qendrën e mirënjohur “De Balie”, ka folur për qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me BE-në, si dhe pikëpamjet e tij për situatën aktuale gjeopolitike në Europë.

Rama tha se situatës së një Europe të ngadaltë për të lëvizur sidomos kur është fjala për Ballkanin i janë mbivendosur së fundmi dhe probleme historike që rikthehen në politikën e ditës, duke e shtyrë prej disa vitesh tanimë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Nëse vende si Bullgaria e përdorin anëtarësinë e tyre në BE dhe veton për të diskutuar historinë në nivel politik kjo është edhe më e ndërlikuar. Dhe mendoj sa herë historia merret në dorë nga politikanët për tu zgjidhur, rezultati është që historia të ndërlikohet më shumë seç ishte para se ta merrnin ata në dorë. Kjo është e gjitha një turp, që lidhet me frymën e deformuar të zgjerimit. Nuk është Bullgaria çështja, është BE-ja! Mënyra si funksionon është e vjetëruar. Duhet ndryshuar,” tha Rama.

Kryeministri shkoi jo pa batuta edhe më larg në historitë e Ballkanit.

“Nëse hyn në Ballkan është çmenduri, se po të hysh aty po të pyesësh shqiptarët ne mendojmë se erdhëm me majmunët. Ne mendojmë se evolucioni i Darvinit nisi me ne. Grekët mendojnë se Holanda është një fshat i vjetër i Greqisë së Lashtë, ata madje mendojnë se erdhën para majmunëve. Po të na pyesësh ne Napoleoni ishte shqiptar, familja e tij shkoi në Korsikë. Këto janë gjëra që nuk duhen diskutuar në nivel europian,” vijoi Rama.

Ai tha me humor se kur kjo të ndodhë, - duke mos përjashtuar një tjetër vit të humbur, - nuk do të ketë dasmë.

“Gjëja më e pakuptueshme përtej kësaj është se as ne as Maqedonia e Veriut nuk po trokasim në derën e BE-së për tu bërë anëtarë. Po të bëheshim që sot anëtar do ta kuptoja. Ne vetëm duam të nisim bisedimet. Mendoj se duhet të ishin çelur negociatat prej shumë vitesh, mbase vitin e ardhshëm, por nuk do humbasim më gjumë për këtë ne. Mbetëm duke organizuar dasma, dasma të mëdha me muzikë. Prisnim të vinte nusja nga Brukseli, por 1 vit 2 vjet 3 vjet asnjëherë nuk erdhi. Nëse do të vijë të martohet me ne pa muzikë dhe menjëherë në shtrat dhe të bëjmë fëmijë, le të vijë. E them me humor, por imagjinoni veten kur doni të martoheni seriozisht por ajo nuk shfaqet asnjëherë”, u shpreh Rama.

Ai iu përgjigj edhe një gazetereje bullgare ndërsa foli dhe për keqkuptimet e krijuara me opozitën në Maqedoni për batutën e famshme me kryeministrin Kovacevski, për të cilën tha se videoja është shfaqur jo e plotë.

“Unë dua të shmang sa më shumë të jetë e mundur keqkuptimet për mënyrën sesi i qasem kësaj punës së historisë. Jam shumë serioz kur vjen fjala për historinë por jam serioz dhe kur ua lë historinë, historianëve. Unë nuk vë në diskutim motivet. Çdo vend ka arsyet e veta. Unë vë në diskutim metodën dhe metoda është e rëndësishme. Dhe ne e dimë shumë mirë kur politikanët futen kaq thellë në histori, e bëjnë për të mbrojtur votat e tyre. I drejtohen emocioneve të tyre duke u përpjekur të ringjallin fantazmat e vjetra në stomak. Pata ca probleme me opozitën e Maqedonisë së Veriut se bëra ca shaka me kryeministrin kur bëja shaka me kancelarin Scholz se ky është kryeministri i Bullgarisë Jugore dhe e prenë videon se i thashë që është edhe i Shqipërisë Lindore,” tha Rama.

Një ditë përpara ditëlindjes Rama tha se për të dytën herë do e festojë në kancelartitë europiane.

“Një gjë është e sigurt, do jetë një ditëlindje e paharrueshme! Në vend se të jem me familjen time në shtëpi, do jem vetëm për vetëm me Mark Rutte. Hera e dytë që kam ditëlindjen kështu. Kam qenë njëherë me Angela Merkel në Elise dhe gjithë Ballkani ishte aty dhe përfundoi duke më kënduar të gjithë Gëzuar Ditëlindjen. Këto janë ato efektet e mira anësore të të qenit politikan”, tha Rama.