Kryeministri e ka nisur fjalimin e tij për fatin e trishtë që patën nga regjimi diktatorial i Hoxhës, shumë nga firmëtarët e pavarësisë, për të vijuar me arritjet e sotme, ku foli për Portin e Durrësit, temë e gjatë e debatuar javën e fundit.
“Në fillim të vitit të ardhshëm hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri të Durrësit që do të ndërtohet në Porto Romano dhe në fillim të 6-mujorit të dytë do jemi në kantier në Portin e ri të Porto Romaos që do të jetë projekt i përbashkët që do të lidhet me Prishtinën dhe Strugën me dy porte të thata”.
Ndërsa duke folur për Kosovën dhe raportet tha:
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë më thjesht të shkëlqyera. Janë edhe produktive më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. Dhe këtë e tregojnë faktet e prodhuara nga jo thjesht mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive por edhe nga rritja e aftësisë për të zbatuar në praktikë bashkëpunimin më interes reciprok. Mjafton të shohësh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo abetaren e përbashkët.”
Për njohjen e Pavarsëisë së Kosovës tha: “Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë me mirë në raport me të huajt, por edhe sot nuk mendoj se janë më mirë në raport me vetveten. Le t’i kthehemi me syrin e mendjes, jo vetëm pamjes së sotme të Kosovës të krahasuar me vite më parë. Besoj se njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë”.
Fjalimin Rama e mbylli me një fjali për Hashim Thaçin:
"Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet dot as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite: LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon”.