Politikë

Rama: Listat e publikuara jo nga sistemi MEMEX, janë fotomontazh

Rama: Listat e publikuara jo nga sistemi MEMEX, janë fotomontazh

Kryeministri Edi Rama ka mohuar sot në seancën parlamentare se sulmi kibernetik ka prekur edhe sistemin MEMEX. Ai u shpreh se lista e publikuar në disa media ku pretendohej se janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, është një fotomontazh. Rama tha se asnjë sulm nga hakerat iranianë nuk ka mundur të depërtojë në sisteme.

Nga fjala e Kryeministrit Rama:

Rama: Listat e publikuara jo nga sistemi MEMEX, janë fotomontazh

Mos bëhemi qesharakë që për çdo gjë që ndodh, çdo gjëje që ndodh, i japim një unikalitet sikur kjo ndodh këtu. Sot që flasim, prej disa kohësh në shtetin fqinj, në Maqedoninë e Veriut , ka një agjensi të tërë pagesash të ministrisë së Bujqësisë që nuk punon për shkak se është marrë peng nga hakerat.

Sulmet kibernetike janë një e përditshme. Ne jemi marrë me sulmet kibernetike të vazhdueshme dhe s’kemi aptur asnjëherë asnjë problem. Ky është një sulm i një niveli shumë të lartë, i një agresiviteti shumë të lartë dhe nuk e ka realizuar qëllimin e tij. Tani, mbase ju do donit ta realizonte qëllimin, po nuk e ka realizuar. Mbase ju do donit realisht të kishte sjellë një hata’po nuk e ka sjellë një, mbase ju do donit të na kishte gjetur tërësisht të papërgatitur, po nuk na ka gjetur. Kështu që mos u kuturisni në konkluzione që janë qesharake dhe po ju them prapë, që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin, është shumë e thjeshtë.

Ne sot e kemi të gjithë infrastrukturën digjitale të ngritur dhe ato historitë me lista, si ajo lista sot, del një listë sot që nuk flet për hakerim të sistemeve sensitive po flet për diçka tjetër.

Flet se për çfarë terreni gjen në kanale dhe portalet tona, plus edhe në politikën tonë, një grup i cili ka qëllime dashakeqe ndaj vendit dhe që me një listë të fotomontuar ku përzihen kriminelë me politikanë, me gazetarë, fut në vorbull një dynja të tërë që fillon dhe hedh dyshime, që fillon edhe hedh teza edhe hipoteza.

Nuk ka terren më pjellor për çdo lloj veprimi dashakeq ndaj vendit tonë sesa kanalet, sesa portalet dhe sesa ju. Falë gjithë kësaj fuqie në këtë llloj tubacioni llumi, mund të bëjë hajgare çdo lloj gallataxhiu e çdo lloj hakeri se menjëherë ngriheni në këmbë; jo po cilat janë lidhjet e krimit me këtë e me atë, duke parë fotomontazhe.

Ajo që ka dalë nuk është sistemi Memex i Ministrisë së Brendshme. Kaq e thjeshtë është. Edhe duhet të kalojë e gjithë dita duke u torrollis gjithë opinioni publik që ndjek këto lloj burimesh, duke dëgjuar gënjeshtra dhe konspiracione nga më absurdet, por faktikisht është një e pavërtetë nga fillimi deri në fund.

Më herët, në një reagim zyrtar, Policia ka deklaruar se MEMEX nuk është hakëruar dhe se të dhënat e publikuara së fundmi nuk kanë lidhje me databazën e sistemit policor.