Politikë

Rama: Nuk ka negociata për anëtarësim në BE së shpejti dhe faji është i Bullgarisë

Rama: Nuk ka negociata për anëtarësim në BE së shpejti

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Politico është shprehur se nuk pret që në Samitin e ardhshëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel, të hapen negociatat për Shqipërinë dhe fajtor për këtë bën Bullgarinë.

Të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars të 2020 t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Por, negociatat nuk kanë nisur ende përshkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka favorizuar anëtarësim të përbashkët për të dyja vendet, kështu që bllokada prek edhe Shqipërinë.

BE-ja i ka dhënë statusin kandidate për anëtarësim Maqedonisë së Veriut në 2005 dhe Shqipërisë në 2014, megjithatë ende nuk është arritur të fillojnë bisedimet me asnjë prej vendeve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Bullgarinë javën e kaluar në një përpjekje për të bindur Bullgarinë për të hequr bllokadën përpara samitit të ardhshëm në Bruksel.

Rama pesimist për hapjen e negociatave

Në intervistën për POLITICO, Rama e bëri të qartë se ishte pesimist.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Nuk do të hapen bisedimet për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së e kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj se “çfarë sinjalesh mund të japin? Kjo nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por, kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”

Rama thekson se nuk priste që udhëheqësit bullgarë të ndryshonin qëndrimin e tyre, pasi ata i kishin bërë mosmarrëveshjet një çështje kaq të madhe sa ishte shumë e vështirë të tërhiqeshin.

“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, deklaroi Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.

Zyrtarët bullgarë kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur se ata thjesht po i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që t’u përmbahet angazhimeve të mëparshme dhe të mbrojnë të drejtat e bullgarëve në vend.

Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, ka deklaruar se po bën përpjekje me mirëbesim për t’u angazhuar me Sofjen dhe theksoi se një mosmarrëveshje dypalëshe nuk duhet të pengojë fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe një anëtari të mundshëm.

Rama konfirmoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që oferta e Shqipërisë për anëtarësim të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut – një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët do mund të përparonin së bashku.

“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, ne do të kërkojmë të ndahemi nga ky çift, që tashmë po humbet vazhdimisht”, tha Rama.

Mbështetje për Macronin

Rama theksoi gjithashtu se ai mbështet idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian – një organizatë që do të ishte e hapur si për anëtarët ashtu edhe për joanëtarët e BE-së.

“Unë mendoj se ai ka të drejtë. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë… sepse kjo është vizionare”, tha Rama, ndërsa nuk pranon të hyjë në detaje për formën që duhet të marrë komuniteti.

“Kjo mund të diskutohet, por në parim, të kesh një komunitet politik i cili organizohet në mënyra të ndryshme … është shumë e rëndësishme dhe është përtej Bashkimit Evropian që kemi sot … i cili qartësisht nuk është në gjendje të përballet me sfidat e kohës që janë përpara”, tha ai.

Macron e përcaktoi planin e tij si një përgjigje ndaj luftës në Ukrainë, duke sugjeruar se komuniteti i propozuar do të ishte një mënyrë më e shpejtë për Kievin për t’u integruar në strukturat politike evropiane sesa procesi i gjatë i pranimit në BE.

Mirkuptim për pozicionin e Beogradit në luftën Rusi-Ukrainë

Lufta e Rusisë ka nxjerrë në pah gjithashtu ndarjet në Ballkanin Perëndimor.

Disa vende, si Shqipëria, e kanë ndjekur BE-në në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa të tjerët, si Serbia, jo.

Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë patur mosmarrëveshje gjatë dekadave, Rama kërkon mirëkuptim për pozicionin e Beogradit.

“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë të tjerë, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha Rama.

Ai tha se besonte se Serbia duhej të vendoste sanksione me kalimin e kohës, por u shpreh kundër nxitjes së Beogradit, i cili është shumë i varur nga Moska për furnizimet me energji, për të bërë shumë dhe shumë shpejt.

“T’u kërkosh që ta bëjnë tani, dhe në të gjithë diapazonin, është praktikisht e pamundur… Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre. Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, paralajmëroi Rama.

“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë apo mund të dëshirojmë. Por, më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të këqij për të gjithë dhe, veçanërisht, për këtë rajon”, tha Rama.

*Artikull i POLITICO