Politikë

Rama pas takimit me Kurtin: E inkurajova në hedhjen e hapave të mëtejshëm për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit

Rama pas takimit me Kurtin: E inkurajova në hedhjen e hapave të

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Temë e diskutimit në takimin mes dy liderëve ka qenë marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Në një postim në Facebook Rama shkruan se e ka inkurajuar kreun e qeverisë kosovare për të zbatuar marrëveshjen e arritur, përfshirë dhe Asociacionin, ndërsa deklaroi dhe mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.

Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor,” shkruan Rama.

Më herët, Kurti u takua me presidentin Bajram Begaj dhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.