Politikë

Rama për AP: Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin në Tiranë, ogur i mirë për të ardhmen e Ballkanit

Rama për AP: Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin në

Një ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Associated Press”, e ka konsideruar të rëndësishëm faktin që liderët europianë mblidhen në Tiranë, për herë të parë në një vend jashtë bllokut.

“Momenti është fantastik. Askush nuk mund ta imagjinonte dy vjet më parë dhe tani po ndodh”, tha Rama.

Sipas Ramës, lufta në Ukrainë i dha BE-së një nxitje për t’i çuar vendet e Ballkanit Perëndimor në bashkësinë demokratike të Europës. “Zëri i përbashkët i Ballkanit Perëndimor nxiti më shumë liderët e BE-së për të çuar vendet në rrugën e anëtarësimit, sepse iu duhet Ballkani Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha ai.

Ai shtoi se “blloku veçanërisht duhet të punojë me Serbinë, e cila nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë gjatë kohës së luftës”.

Rama për AP: Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin në

Kryeministri e quajti takimin e nesërm “ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare (të Shqipërisë)”, duke vënë në dukje se vendi ish-komunist ishte deri në vitin 1990 plotësisht i shkëputur nga bota dhe nga Evropa”.

“Samiti do të sjellë për Ballkanin Perëndimor dhe për vendin tonë shumë energji pozitive, shumë shpresë, shtigje të reja të cilat do të përcaktohen në hapat e ardhshëm. Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin jashtë territorit të saj është një ogur i mirë për të ardhmen”, tha Rama.

Me përjashtim të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia vetëm në vitin 2008, vendet e Ballkanit Perëndimor u identifikuan për herë të parë si kandidatë potencialë të BE-së në vitin 2003.

Blloku ra dakord të fillojë bisedimet e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik dhe ka zhvilluar diskutime të tilla me Serbinë dhe Malin e Zi për disa vite.

Komisioni ekzekutiv i BE-së rekomandoi edhe Bosnjën si kandidate në tetor. Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të aplikojë për shqyrtimin e kandidaturës këtë muaj.

Rama argumentoi se marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht atyre që përbënin ish-Jugosllavinë, nuk kanë qenë kurrë më të mira, megjithëse ai pranoi se refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës “është ende si elefanti në një dhomë”.