Politikë

Rama për tubimet e PD: Vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike! Kosova dhe Mali i Zi i paguan shtrenjtë fushatat elektorale

Rama për tubimet e PD: Vatra të nxehta infektimi për motive

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale ka krahasuar dy pamje nga fushata e PD dhe PS, e para në Qarkun e Tiranës dhe e dyta në atë të Korçës. Në pamjet e takimit të demokratëve shfaqen militantët e kësaj force politike të mbledhur pa ruajtur distancat anti-COVID dhe pa mbajtur maskat, ndërkohë që në takimin e socialistëve ndosh krejt e kundërta.

Rama në mbishkrimin e statusit dhe paralajmëron se metoda të tilla fushate kanë shkaktuar probleme të mëdha në Mal të Zi dhe në Kosovë, të cilat kanë kthyer masa të ashpra anti-COVID pasi pati një shpërthim të rasteve pas fushatës elektorale.

Rama i ka cilësuar këto tubime një “turp të madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri i lidershipit opozitar”.

Statusi i kryeministrit Rama:

Vaksimi masiv cënohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë!

Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!

Shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund:

Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm!

Ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve:

Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë!

*PS në Korçë, PD në Tiranë

Tiranapost.al