Rama përballë gazetarëve për Kosovën! Ja disa nga pyetjet më të nxehta
Kemi përzgjedhur pyetjet më të rëndësishme e ndoshta më të nxehtat për kryeministrin Edi Rama.
Një konferencë me shumë ritëm, tension, pyetje të forta, dhe përgjigje të atypëratyeshme
ABC: Nga deklaratat e tua të fundit duket sikur ka një klimë të re në marrëdhënien tuaj me Kosovën, është si rezultat i drejtësisë së munguar në diplomacinë e BE, po e shikoni konfliktin në veri me sytë e Kosovës apo Albin Kurti në raport me ndërkombëtarët ka ndryshuar dhe është përmirësuar?
Rama: Aftësia juaj për t’i kthyer në telenovela ku patjetër duhet të ketë krisje dashurie dhe klithma urrejtjeve midis personash në gjërat kaq serioze është mbresëlënëse. Unë nuk kam ndryshuar në asgjë. Një mijë herë të kthehem mbrapa, një mijë herë do thoja të njëjtat gjëra. S’ka as klimë të re, as klimë të vjetër, as me persona as me emocione. Këtu ka lidhje me qëndrimet stragjike dhe veprimet për të çuar përpara një strategji të caktuar. Nuk është veprim strategjik të më quash mua vëllai i Vuçiçit është krejt emocional, sepse ata që ma thonë i kanë akoma të freskëta kujtimet e tmerrshme nga barbaria e regjimit diktaktorial në Beograd. Unë jam këtu për qëndrime strategjike, jo ballafaqime emocionale.
A2CNN: Ju thatë që është koha që KFOR të marrë në kontroll Veriun e Kosovës? Në 19 qershor ju keni shkruajtur në Twitter se nëse situata agravohet duke rikthyer KFOR në krye të punës atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojë një republikë të KFOR në Republikën e Kosovës?
Rama: Nuk jemi akoma aty por mund të shkojmë dhe aty, patjetër. E shikoni ju se çfarë ndodh. Kjo është diçka që nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë as dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim tek vija historike dhe vija e sjelljes së aktorëve në fushë për të kuptuar si mund të shkojnë gjërat. Kështu që akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim do shkojmë aty. Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike, mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh njëherë e mirë armikun. Në realitetin e gjeopolitikës dhe ballafaqimit të sotëm punon me strategji dhe punohet me mençuri dhe diplomaci. Kardshillëku është shprehje e përgjegjësisë, kështu që mos ma bëni si ata që thonë pes i thu kriminel pse s’i thua terrorist, se ti je vëllai i Vuçiçit.
Birn: A keni bërë tentativa për të ndërmjetësuar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë? A jeni gati të bëni ndërmjetësin duke shfrytëzuar dhe samitin e Berlinit? A mund të shfrytëzohet Samiti i Berlinit në Tiranë për të ndërmjetësuar një bisedim mes palëve?
Jo asnjëherë. Asnjëherë. Unë nuk mund të bëj ndërmjetësim midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam në konflikt të hapur interesi. Pavarësisht se për disa unë jam "vllau i Vuqiqit", po edhe Vuqiq e di shumë mirë që unë jam në konflikt të hapur interesi dhe nuk mund të bëj ndërmjetësim.
Vizion Plus: Kur dëgjojmë presidentin Vuçiç që thotë se deri sa të vdesë serbi i fundit nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, a është i mundur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për aq kohë sa në krye të këtij shteti qëndron një president i tillë...?
Rama: E di sa njerëz kanë thënë deri sa të vdes nuk do bëj këtë e nuk do bëj atë dhe e kanë bërë.
Apo do të kërkohet një lider më i moderuar për të mundësuar dialogun? Dhe e dyta kur dëgjoni këtë deklaratë, a i jepni të drejtë Albin Kurtit dhe të gjithë paraardhësve të tij që e refuzuan Ballkanin e Hapur dhe duket se kanë pasur të drejtë?
Rama: Njëmijë herë po të kthehesha, njëmijë herë do ta bëja nga e para. Siç e kam thënë edhe më parë fokusi tek procesi i Berlinit nuk do të thotë që ne nuk do të kemi aktivitete të tjera trilaterale, katërlaterale, si të jenë. Kjo nuk diskutohen fare, fare... Unë habitem pse m`i bëni këto pyetje. A nuk do të ishte mirë të ishte një lider më i moderuar në Serbi? Po mo patjetër. Po çfarë buron nga kjo dëshirë? Buron një politkë. Mund të bëhet një politikë mbi këtë dëshirë? Do ishte bërë ndonjëeherë paqe në ndonjë vend të botës po të ishin nisur nga dëshira të tilla që shiko se aty do ishte mirë të ishte dikush tjetër për të bërë paqe. Mbase s`do vijë kurrë ai njeri. E ti çfarë do bësh? Do tërheqësh këmbën zvarrë? Paqja nuk bëhet për interesin e Serbisë. Paqja bëhet për interesin e shqiptarëve. Procesi i normalizimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve me Serbinë, për mua, për Shqipërinë, është strategjik. Nuk është për Serbinë. Serbia ka interesat e veta. Nuk diskutohet. Do ishte mirë të ishte dhe një tjetër më i mirë se unë. Po deri sa të jetë ai jam unë. Nuk është kjo logjika. Prandaj ju them. Shikoni filmin Golden.
Klan News: Së fundmi keni dënuar disa veprime nga Serbia. A keni pasur komunikim me Vuçiç dhe ia keni shprehur edhe atij personalisht apo marrëdhëniet vijojnë të jenë të ngrira? Dhe çfarë doli jashtë parashikimeve në zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë duke qenë se edhe ju vetë e keni pasur bindjen se nuk do të ketë asnjë të shtënë?
Rama: Unë nuk kam thënë nuk do të ketë asnjë të shtënë. Unë kam thënë të kundërtën. Kam thënë që veriu i Kosovës mund të degradojë. Mund të kthehet në Donbas. Dhe Dombasi është me të shtëna. Nuk është me sherre kafenesh. Unë kam thënë nuk futet dot ushtria serbe, ushtria e rregullt serbe nuk futet dot në Kosovë. Dhe e them prapë. Pyetja e parë është vazhdim i pyetjes që bëri kolegia që ke në krah. Marrëdhënie të ngrira, marrëdhënie të shkrira. Unë jam kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Jo se nuk e dini, por sepse marrëdhëniet në këto nivele janë marrëdhënie që kalojnë nga pikësynimet strategjike, nga interesat kombëtare, nga nevoja e vendit që unë kam privilegjin të udhëheq. Kështu që presidentin e Serbisë, as nuk e zgjedh dot unë, as nuk e zgjedh dot Albin Kurti, as nuk e zgjedhin dot të gjithë ata që do të donin të ishte dikush tjetër.
Serbinë as nuk e pakojmë dot ta nisim në ndonjë kontinent tjetër dhe as vetë nuk i mbledhim dot bagazhet e të nisemi për në ndonjë kontinent tjetër. Duam s`duam Serbia është aty fqinje me ne. Zgjedhja ëshë shumë e qartë. Shqipëria nuk ka asnjë arsye tjetër përveç njëmijë e një arsyeve që vijnë nga interesat e saj strategjike kombëtare dhe nga detyrimi i saj për të qenë një vend më i mirë për fëmijët e vet për të kërkuar përmes dialogut paqen përfundimtare.