Politikë

Rama sërish thirrje naftëtareve në Ballsh: Mbyllni grevën, mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju

Rama sërish thirrje naftëtareve në Ballsh: Mbyllni grevën,

Greva e naftëtareve të Ballshit  vijon e pandërprerë dhe është sot në ditën e 15 të saj. Gjatë ditës së some protestës së naftëtarëve i është bashkuar edhe deputetja e opozitës jashtëparlamentare, Rudina Hajdari e cila e ka quajtur të papranueshëm dhe turpshëm mosreagimin e qeverisë. Ndërkohë vetëm pak më parë kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter  ku i bën  sërish thirrje grave greviste që ta mbyllin grevën e të nisin bashkëbisedimet me qeverinë.

Rama thotë se qeveria është aleati i tyre dhe se e vetmja pengesë është greva e tyre. “Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t’ju përdorin kundër qeverisë” shkruan ndër të tjera kryeministri, teksa shton se i ka dëgjuar dhe është duke i pritur.

“Të dashura motra greviste të Ballshit! Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë.

Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t’ju përdorin kundër qeverisë!Qeveria është e juaja,por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t’u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve!”, shprehet Rama.

Thirrjes së kryeministrit për të ndaluar grevën iu përgjigjën menjëherë naftëtaret, të cilat janë shprehur të vendosura për të mos dalë nga greva pa biseduar më parë për kushtet.

"Nuk dalim nga greva, le të bëhen bisedimet por edhe ne te jemi ne grevë", thonë ata.

Menjëherë pas reagimit të tyre, ka reaguar sërish kryeministri Rama i cili shkruan në një status në Tëitter se nuk i ka ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk ka asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin e tyre. Ai përsërit se  pa mbyllur grevën qeveria nuk mund t’iu qaj dot hallin.

“Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por ju'a përsëris, pa mbyllur grevën nuk ju'a qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës!

Edhe njëherë: Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t'ju ndihmojmë!”, shkruan kryeministri.