Politikë

Reagon presidenca pas miratimit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës

Reagon presidenca pas miratimit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e

Presidenti Ilir Meta nuk e njeh vendimin e Kuvendit, që miratoi pak minuta më parë ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e tij, me akuzat se ka shkelur parimet kushtetuese gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të 25 Prillit. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi Tedi Blushi tha se presidenti do ushtrojë funksionet kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe se nuk do tolerojë më asnjë lloj intimidimi.

Deklarata nga zëdhënësi Tedi Blushi:

Presidenti shpreh keqardhjen që Kuvendi e refuzoi mundësinë që ju dha prej tij për t’u kthyer në shinat e kushtetutës dhe ligjit. Në këto kushte bëj me dije se institucioni i presidentit nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.

Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendjen dhe është nul. Askush nuk mund të fshihet as pas etikës dhe retorikës dhe se kjo është çështje sovraniteti.

Meta e di ç’ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin për atë që do ndodhë. Garantojmë qytetarët se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës, presidenti Ilir Meta do ushtrojë me përgjegjësi sikundër ka vepruar deri tani të gjitha funksionet kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do tolerojë më asnjë lloj intimidimi të institucionit të presidentit nga mafia lokale rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, pas Tedi Blushit, këshilltari për Çështjet Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj doli në deklaratë lidhur me rrëzimin e 10 dekreteve të Presidentit mbi kthimin e 10 ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.

Bledar Dervishaj:

Sot fatkeqësisht dëshmuam si seanca e plenare e Kuvendit që po i përfundon mandati rrëzoi 10 dekrete të Presidentit që rikthyen 10 ligje që prekin themelin e reformës në sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë që prisnim të dëgjonim në diskutime përpjekje për të argumentuar ligjërisht, dëgjuam retorikë politike fjalë boshe pa asnjë vlerë për shoqërinë, gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës.
10 ligje Kuvendi arrin t’i shqyrtojë brenda një ditë, këtë ritëm do e kishte zili cdo vend evropian për deputetët e tij.
Kuvendi në një ditë, më 23 mars të këtij viti miratoi 10 ligje të hartuara nga qeveria që ndryshojnë rrënjësisht reformën e që u kthen në muajin prill me dekrete nga Presidenti, ndërkohë që u ndryshuan brenda një dite, janë hartuar miratuar e konsultuar pas një analize 2 vjeçare të gjithë sistemit të drejtësisë në vitet 2015-2017.
Reforma në drejtësisë në këto vite iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lartë e iu hoq qeverisë e drejta për të ndërhyrë. Roli i Kuvendit në këto vite ishte rol certifikues i produktit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj e vendas pa pasur të drejtën qeveria për të ndërhyrë në thelbin e tyre.

Nga Kuvendi sot, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se 10 ligjet synojnë zgjidhjen problematikave, ndesa argumentet e Metës për kthimin e ligjeve i konsideroi subjektive dhe jo profesionale

Etilda Gjonaj:

Presidenti dualist, nuk paraqet asnjë argument mbi përmbajtjen e këtyre ndryshimeve. Argumentet e presidentit subjektive dhe jo profesionale. Ju ftoj të jemi bashkë për më të mirën në vijimin e zbatimit të reformës dhe të rrëzojmë dekretet e presidentit për t'i hapur rrugë vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

*Tiranapost.al.