Politikë

Reagon presidenti për rrogën e tij: Do të përgjysmohet si për të gjithë zyrtarët e tjerë

Reagon presidenti për rrogën e tij: Do të përgjysmohet si

Gjatë prezantimit të planit me 7 pika të kryeministrit Rama, për përballimin e pasojave ekonomike të koronavirusit, ai tha se do të përgjysmohen rrogat e ministrave dhe deputetëve, por për të presidentit ia la në dorë vetë, siç deklaroi duke thënë: 

Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës, të cilit haka e do që t'i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet, apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë.

Pas deklaratës së tij, presidenti Meta ka reaguar, fillimisht duke mbështetur planin financiar, dhe duke njoftuar se edhe rroga e tij do shkurtohet njëjtë si kabineti qeveritar. 

Postimi i plotë i presidentit Meta: 

Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri.

Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t'u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.

Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.

Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID 19.

Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë, duke mundur frikën, me besimin e palëkundur te e ardhmja dhe në Zot.

Deklarata e kryemininistrit Rama: 

Unë doja që qysh në planin A të impononim heqjen e dickaje nga vetja, për të gjithë ata që sot fitojnë më shumë si biznes i madh apo kanë një pagë të lartë në sektorin publik. Por më bindën se ky mund të perceptohej gabimisht si një mesazh i gabuar dhe të hynte pastaj në ato gojët pa perimetër të ekraneve, nga ku të dilte si arsye se shteti s'ka para për të paguar rroga e pensione. Prandaj nuk do të prekim hëpërhë, asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës. Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës, të cilit haka e do që t'i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet, apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë.