Politikë

Reagon Rama për përgjimet italiane: Pas një viti udhëtimesh në Shqipëri dhe bisedimesh ata dështuan totalisht!

Reagon Rama për përgjimet italiane: Pas një viti udhëtimesh

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një konferencë për mediat për përgjimet e Ndrangheta-s. Teksa citoi hetimet e prokurorisë italiane në të cilat sipas tij thuhej se në Shqipëri kanë dështuar të gjitha investimet përveç një dyqan i vogël, servirja e këtij llumi për shqiptarët është turp.

“Kjo për mua është një provë spektakolare e kantandisë së opozitës, është një përpjekje për të kërkuar avantazhe duke ia bërë nënën këtij vendi përsëri”, u shpreh Rama.

“Në fakt do të zhgënjej, sepse nuk do të them për këtë do flasë drejtësia, sepse në këtë rast ka folur qartësisht grupi hetimor italian dhe do ju them pse është turp i pashembullt për ju që ushqeni tymnajën me llafe e dëngla njerëzish që sipas Prokurorisë italiane: “Pas një viti udhëtimesh në Tiranë  dhe bisedimesh me njëri tjetrin për investime që do të bëhen në Shqipëri ato dështuan totalisht dhe vetmi investim është një dyqan i vogël, për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018 investimi në Shqipëri sipas bilanceve të QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe ka humbur 400 mijë lekë të reja dhe në 2019-ën siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”.  

Ky është citim i prokurorisë italiane dhe servirja e këtij llumi për shqiptarët është turp. Është një turp që i mishëron më së miri ata që e ushqejnë këtë qasje dhe që prirjen për t`ia bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet. Sa herë ju jepet mundësia edhe kur skanë mundësi në fakt. Flasin ca italianë, imagjinojnë tokën e premtuar. Nuk ka asnjë fakt dhe këtu ngrihet një tymnajë dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë dhe ju lexova prokurorinë. Merrini pijani lëngun dhe villini prap dhe bëjini shqiptarët t’ju vijë për të vjellë. Kjo për mua është një provë spektakolare e kantandisë së opozitës. Nuk e imagjinoj dot që në një vend normal që një person në shërbim të publikut të marrë kohë për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kutërbuese. Çfarë pret të të them unë? Të të them nuk funksionon shumë me mua, me ne? Është një turp që duhet ta mbajnë ato që e kanë. Është një përpjekje për të kërkuar avantazhe duke ia bërë nënën këtij vendi përsëri. Në vend që të bëhet informacion bëhet disinfomim. S`kam çfarë të them”, tha Rama.