Politikë

Replika Tabaku-Rama, për Becchetin

Replika Tabaku-Rama, për Becchetin

Kryeministri Edi Rama dhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku kanë patur replika në seancën e sotme plenare, në lidhje me çështjen Beccheti. Rama gjatë fjalës së tij është shprehur se nuk i është paguar asnjë qindarkë Becchetit.

“Shifrat e faktet meritojnë konsensus, pastaj interpretimet janë çështje tjetër. E mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni, 385 milionë euro fatura e Arbitrazhit. Ku është kjo faturë? Nëse do na e tregonit faktike, jo hamëndje dhe konkluzione të bazuara mbi hamendje, hajde ta diskutojmë por nuk i thoni dot parlamentit dhe publikut që ka faturë 385 milionë euro për arbitrazhe që po e paguan qeveria. Ju bashkarisht keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit para zgjedhjeve, unë po ju them që zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as Becchetit dhe askujt tjetër deri tani që flasim.

Ndërkohë ballafaqimi vazhdon që të jemi të qartë. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal, kështu keqardhje për ju zonja Tabaku se ju edhe mbani shumë shënime dhe për një njeri që lexon shumë, të flasë për 385 milionë euro që nuk ekzistojnë është pak e sikletshme. Nuk diskutohet që kemi taksat më të ulëta në rajon, nuk ka në rajon taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe së shpejti, brenda pak vitesh do e zerojmë deri në 500 mijë lekë. Nga del këtu që paskemi taksën më të lartë? Kjo mbetet për t'u vlerësuar mbi bazën e shifrave”, tha Rama.

Tabaku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama duke i thënë se ka ministra dhe deputetë pas hekurave.

"Ti je ajo që bën, jo ajo ç'ka thua që do bësh. E nise javën me spektakël qesharak me luftën ndaj korrupsionit. E dini kush konkurronte atje? Këta që qeshin sot këtu, dosja e inceneratorit, dosja 184 e 339, të gjitha që kanë ngritur Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit. Çfarë ironie ishte të dëgjoje fjalime tragjike antikorrupsion, kjo qeveri ka 2 ministra dhe një deputet për korrupsion pas hekurave dhe po prapë do luftojnë korrupsionin.

Sot bizneset ankohen masivisht për xhandarët që i shkojnë dyerve të bizneseve. 93% thonë se i shkojnë përfaqësues shteti për t'i kërkuar ryshfet. Aq i padrejtë është sa kur shet një pikturë vetë paguan 15% ndërsa qytetarët paguajnë 25%. Unë besoj që këtë spektakël të shëmtuar nuk e prishi asgjë, nuk e zbehu as arrestimi i një burri që nuk ka paguar kurrë një gjobë në jetën e vet. Unë duhet të pranoj diçka, në këto sallë kanë kaluar shumë ligje. I vetmi ligj që besoj se na e ka ngritur diskutimin është dekriminalizimi që ka sjellë shembujt se si qeveria ka mësuar të qeverisë. E kisha në Vorë Kajmakun përballë më 6 mars, edhe në zgjedhje pa kundërshtarë, Kajmaku ishte atje. Ai dhe Kajmakët e tjetër, gjalpat e gjizat. Do gjejmë Kajmakun e radhës që do t’i dalin për zot. Ai, etaloni i ndershmërisë, ai e Kajmakët e tjerë, kjo është farsa më e madhe e qeverisë që përpiqet t'i marrë shqiptarët për budallenj”, tha Tabaku.