Politikë

Rezoluta për Srebrenicën, Rama: Lojë e ulët e atij që theu embargon ndaj “kasapit” të Beogradit

Rezoluta për Srebrenicën, Rama: Lojë e ulët e atij që

Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar qëndrimin refuzues të Partisë Socialiste ndaj kërkesës së deputetit Tritan Shehu, për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë, në Bosnjë-Hercegovinë.

Përmes një postimi në Twitter, pas votimit kundër të Kuvendit ndaj kësaj rezolute, Edi Rama shprehet i prerë se nuk do të votojë asnjë nismë të propozuar në Kuvend nga persona të shpallur non grata dhe nga kushdo që i ndjek ata pas, për të cilët tha se ndjen keqardhje dhe neveri.

Rama sqaron se pyetja e madhe që duhet të bëjnë të gjithë është: përse kjo rezolutë sot dhe përse nga një njeri që njihet botërisht për thyerjen e embargos ndaj “kasapit” të Beogradit, Sllobodan Millosheviç.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama në Twitter:

Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po çne kjo rezolutë sot? Pse? Me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s'ishte rezolutë po lojë e ulët!

Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit për t’u ringjallur nga varri i tij politik!

Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!

Edhe një fakt për t'u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!