Politikë

Rindërtimet pas tërmetit, Ahmetaj replika me Valterin: Punët në terren nuk janë pa surpriza, projekti është unik

Rindërtimet pas tërmetit, Ahmetaj replika me Valterin: Punët

Çështja e rindërtimeve pas tërmetit të 26 Nëntorit ka nxitur replika mes ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe deputetit Halit Valteri.

Deputeti i opozitës i ka kërkuar llogari ministrit lidhur me situatën e rindërtimit dhe se si janë menaxhuar fondet e konferencës së donatorëve për të ndihmuar të prekurit. Në replikën e tij Ahmetaj u shpreh se projekti është unik dhe se janë paguar 21894 përfitues e shumë të tjerë janë në proces.

“Punët në terren nuk janë pa surpriza, por nuk ka munguar vëmendja e qeverisë dhe e të gjithë personave përgjegjës. Projekti i rindërtimit është unik. Qeveria shqiptare reagoi menjëherë që sekondën  e parë. Nuk po them se gjërat bëhen perfekte por të garantoj se bëhen me përgjegjshmëri dhe vëmendje maksimale. Kush iu përgjigj shqiptarëve në ditën më të vështirë në 26 nëntor? Është kjo mazhorancë nuk iu përjashtoj as juve sepse minoranca na mbështeti duhet votuar projektligji. Sot 34 miliardë lekë nga të cilat janë alokuar 32 miliardë në 4 programe. Unë do jua lexoj programet 1 nga 1. Kemi 28 miliardë lekë ose 280 milion dollarë. Në 2022 është edhe një 6 miliardë apo 6 milion dollarë. Kemi njësi zbatuese 4, ato janë ato që kryejnë procedurat që nga vlerësimi te prokurimi dhe rindërtimi. Grantet e rikonstruksionit jepen me bazë ligjore. Unë kam të detajuar shumën për çdo bashki. 21894 përfitues janë paguar dhe 2837 janë në proces rivlerësimi. 9 shkolla janë në rindërtim. Sot hapet Sami Frashëri", tha Ahmetaj.

Pas fjalës së ministrit, Valteri replikoi duke thënë se ka kaluar një vit dhe jemi akoma tek projekti 3D e nuk është përfunduar akoma asnjë ndërtesë.

“Ju falenderoj për informacionin shterues. Ju folët për shpërndarje buxheti, folët për projekte dhe thatë sot keni filluar. Shikoj në Tiranë që merret një leje dhe për 3 muaj shkojnë në kat të 12. Kurse në rastin e tërmetit ka kaluar një vit dhe jemi akoma tek projekti 3D, nuk është përfunduar akoma asnjë ndërtesë. Ju realisht nuk dini se sa pallate janë sot në gjendje të pabanueshme sepse personat përgjegjës i kanë bërë punët si këmbët e dhisë. Në qarkun Durrës 3310 banesa të pabanueshme dhe numri vijon të jetë i njëjtë. Nga të gjitha pallatet e shembura, nuk është rindërtuar asnjë. Janë 1310 familje të pastrehë dhe numri nuk ka ndryshuar as sot. Kjo situatë është edhe në zona të tjera. Unë nuk jam këtu për t`u zënë me Ben Ahmetaj, por dua t’ju them dilni rrugëve dhe shikoni sa njerëz janë në qiell të hapur. Ndoshta ju nuk e kuptoni dhe as unë s`e kuptoj çfarë do të thotë të jesh në qiell të hapur dhe të mos kesh çfarë të japësh për të ngrënë. Ju keni ngatërruar detyrat dhe në vend që t`u shërbeni qytetarëve, po i zhvasni ato”, tha Valteri.

Ahmetaj iu përgjigj duke përmendur rindërtimin e shkollës Sami Frashëri ku kanë filluar punimet duke hedhur poshtë fjalët se në vend të saj do të bëhej pallat.

“Shifrat janë ato që ju thashë. Unë ju kam gjetur ju nëpër zona duke inspektuar dhe ju e keni parë që po punohet. Sot unë isha tek Sami Frashëri dhe filluan punimet. Ka shumë të pavërteta, sepse u tha që aty do bëhej pallat. Procesi është i avancuar dhe ato 2 mijë e pak familje kanë marrë bonus qiraje dhe është gati 3 miliardë lekë bonus qiraje. Deri më 31 Dhjetor do të mbarohen në Shijak 310 banesa. Sot janë vetëm dy bashki që nuk kanë përfituar Lotet, Kamza dhe Rrogozhina. Familjet që do të mund të marrin kesh për rindërtim, do t`i marrin, por do të jenë të monitoruar nga shteti. Jeni të ftuar të vini me ne kur inspektojmë dhe ndonjëherë të thoni edhe ndonjë fjalë të mirë”, tha Ahmetaj.

Pas ministrit, Valteri replikoi sërish duke u shprehur se në rastet kur i ka kërkuar ndihmë ministrit lidhur me familjet e prekura nga tërmeti ai është treguar i gatshëm.

“Miku im nuk kam asnjë interes se nuk marr tendera. Kam ardhur, të kam kërkuar ndihmë për disa raste dhe jeni treguar i gatshëm edhe pse e keni pasur për detyrë, por shqiptarët nuk kanë nevojë për projekte 3D”, tha Valteri.