Politikë

‘Rrëzimi’ i qeverisë së Kurtit: E reja e ka të vështirë të lindë në këtë kënd të Europës. Kacafytje për pushtet!

Ditmir Bushati nuk e kursen gjuhën dhe as mbiemrat e metaforat që përdor kur përshkruan kritikët e qeverisë Kurti. Ish ministri i jashtëm flet për sundimtarë, (ta ketë për Hashim Thaçin?) e parlamentin e sotëm në Prishtinë si një ballo me maska dhe kacafytje për pushtet që nuk i bën nder Kosovës e qytetarëve të saj dhe vazhdon me gjuhë të ashpër për ndodhinë që do e njollosë përgjatë Kosovën.

‘Rrëzimi’ i qeverisë së Kurtit: E reja e ka të

Tare:Duket se nëse shkojnë gjërat sipas llogarisë së votave, qeveria Kurti mund të rrëzohet në votimin e mocionit. Çfarë qëndrimi keni për këtë që ndodhi në Kosovë?

Bushati: 6 tetori ka qenë një triumf i të resë mbi të vjetrën, është e qartë që në këtë kënd të Europës e reja që të lindë apo të korrë triumf përfundimtar e paska të vështirë. Do të duhet më shumë mund dhe përplasje me të vjetrën. Ajo që është për të ardhur keq është fakti që këto momente të pandemisë, ku kryesore mbetet shëndeti dhe siguria e jetës njerezore, në Kosovë duket se ka një kacafytje për fat të keq për pushtet, dhe ka filluar një ballo me maska, që siç tha në mënyrë shumë elokuente mikja ime Moza Kusari deputete e Kuvendit, është një ngjarje që ndoshta do e njollosë për një kohë të gjatë atë sallë atje.

Sepse nuk ka një diskutim as për ç’kapjen e shtetit, sundimin e të drejtës, zhvillimin ekonomik të Kosovës as për ato reforma sidomos kundër korrupsionit dhe hajnisë, për ta ç’kyçur Kosovën nga izolimi dhe për të siguruar procesin e liberalizimit të vizave. 

Por tema është totalisht në një drejtim që mendoj që nuk i shërben perspektivës as afatshkurtër as afatmesme dhe për fat të keq as afatgjatë të Kosovës.

Tare: Ka të drejtë drejtë Kurti me qëndrimin që pati për taksën apo dialogun me Beogradin dhe cili është roli i SHBA-ve për këtë ‘rrëzim’ të qeverisë në Prishtinë?

Bushati: Nuk më takon as të përfshihem në gjykimet politike për sa i përket politikës së brendshme në Kosovë dhe as të marr anë për njërin apo tjetrin aktor politik, pavarësisht raporteve personale dhe miqësive që mund të kem më disa prej politikanëve apo njerëzve të ndryshëm në Kosovë. I kam thënë pikëpamjet e mia dhe vijoj të mendoj që Kosova ka nevojë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që bazohet mbi të drejta dhe jo mbi territore. Rasti më i fundit ai ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që njihet ndryshe si Marrëveshja e Prespës e vërteton katërcipërisht këtë që them, sikundër precedenti në Bosnje Hercegovinë duhet të jetë sinjal alarmi për të gjithë politikanët në Kosvë, edhe për ata që përbetoheshin sot në Kuvend që një marëveshje është e mundshme, por vetëm mbi bazën e të drejtave për Kosovën dhe Serbinë dhe jo territoreve. Çdo logjikë e shekullit 19 do dëmtonte jo thjesht Kosovën, jo faktorin shqiptar por do hapte një spirale nga e cila nuk do kishte asnjë lloj garancie që mund të ndalej.

Sa i përket rolit ndërkombëtar: Edhe në rastin e marrëveshjes së Prespës, ndërveprimet e Amerikës dhe BE, sidomos Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar tanimë pra, zemra që përbëjnë kuintin, është domosdoshmëri edhe në rastin e Kosovës. Sepse retorika kundër BE, qurravitjet në Twitter apo nga mediume të ndryshme ndaj BE-së nuk i bejnë nder asfare Kosovës. Thjesht çimentojnë status quo-në për disa sundimtarë, por që ka pasoja dramatike për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë vite që vuajnë nga izolimi. Dhe në fakt ky izolim në shumicën e rasteve nuk ka ardhur nga SHBA dhe BE, por nga keqqeverisja.

Ditmir Bushati në Ilva Now.