Politikë

Sandër Lleshaj sqaron për të disatën herë se nuk ka në plan të lërë detyrën e tij

Sandër Lleshaj sqaron për të disatën herë se nuk ka

Çfarë komenti duhet të kem për këtë. Nuk do jem i përhershëm në qeveri. Asnjë nuk është i përhershëm në një post.

Kjo ishte deklarata e pak ditëve më parë nga Vlora e ministrit të brendshëm Lleshaj, që u lexua si një heqje dorë nga posti në dikasterin e rëndësishëm për rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Por sot nga Elbasani, ai ka sqaruar, edhe pse për të disatën herë se nuk ka në plan të lërë detyrën. 

I pyetur nga gazetarët nëse e ka dhënë dorëheqjen, ministri është përgjigjur: 

Asnjë deklaratë e kundërt ( për dorëheqje) nuk ka qenë, as në Shkodër e as në Vlorë, thjesht kam dhënë përgjigje logjike për pyetje të tilla. Nuk kam dhënë dorëheqjen, tani jam në detyrë. Unë nuk dorëhiqem, unë eci përpara sepse kam një mision për të kryer, kam një përgjegjësi zyrtare.

 

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte këtë mëngjes në Elbasan, ku prezantoi krijimin e 'Skuadrës Shqiponja' për këtë qytet, jo pak problematik për nga ngjarjet e krimit. 

Ndërkaq mbrëmë pas atentatit tek Vasil Shanto, ku një 50 vjeçari i vendosën tritol në makinë e cila shpërtheu në ecje, ministri e pranoi se policia dështoi.

Ai tha: 

Duhet ta pranojmë se policia e shtetit ka dështuar në parandalimin e kësaj ngjarje. Këto janë ngjarje që kanë një parahistori. Është iluzore të pretendojmë se do të parandalojmë të tilla gjëra se do ishim i vetmi vend në botë që do e bënte këtë.