Politikë

Scholz: Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE, një përjashtim për Ukrainën i padrejtë për Ballkanin

Scholz: Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE, një

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar sot para Budestagut gjerman se përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk mund të përshpejtohen, pavarësisht pushtimit të Rusisë.

“Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE”, tha Scholz, duke shtuar se nëse do të bëhej një përjashtim i tillë për Ukrainën, do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po ashtu aspirojnë anëtarësimin në bllok.

Scholz tha se ka mënyra të tjera për të ndihmuar Ukrainën në terma afatshkurtër, duke shtuar se prioritet duhet të jetë “përqendrimi në mbështetjen e shpejtë dhe pragmatike të Ukrainës”.

Scholz po ashtu tha se do të marrë pjesë në samitin e BE-së në fund të muajit, ku do të paraqesë “mesazh të qartë se Ballkanin Perëndimor e ka vendin në BE”.

“Për vite me radhë, ata po ndërmarrin reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim”, tha Scholz.

“Nuk është vetëm çështja e besueshmërisë sonë që ne t’i mbajmë premtimet e dhëna për ta. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është po ashtu interesi ynë strategjik”, tha kancelari gjerman.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, reagoi pas deklaratës së Scholz.

“Paqartësitë strategjike mbi perspektivën evropiane të Ukrainës, që po praktikohen që disa vjet nga disa kryeqytete të BE-së kanë dështuar, dhe këto praktika duhet të marrin fund”, tha ai përmes Twitterit.